Prangoset grabitësi i pikës së lotos
Arrestohet grabitësi i pikës së basteve sportive në Fushë-Krujë. Rreth orës 10:30 të ditës së djeshme, shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë bënë ndalimin e 40-vjeçarit Ismet Rryçi, me banim në Thumanë të Krujës. Ai dyshohet të jetë autor i grabitjes së ndodhur natën e vonë të 11 shtatorit në qytetin e Fushë-Krujës. Rreth orës 23:10 të asaj dite, ai dyshohet se ka kryer vjedhjen me armë të dyqanit Euroloto në pronësi të Armando Karaj. Pasi ka gjuajtur me armë automatike, duke shkaktuar dëme materiale të konsiderueshme në pikën e basteve ku ndodheshin rreth 15 veta në atë moment, ka marrë shumën e 4 mijë lekëve dhe është larguar nga vendi i ngjarjes me një mjet tip "Mercedes Benz 270", me targa të Kosovës. Ngjarja është dokumentuar shpejt dhe është bërë i mundur identifikimi i autorit nga shërbimet e policisë së Komisariatit Krujë. Pas shpalljes në kërkim, kapja e tij u bë e mundur vetëm ditën e djeshme.