E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prangoset hajduti profesionist

Zbardhet pas pesë ditësh hetimesh, vjedhja e
filialit të Alba Postës në qytetin e Poliçanit, në
zyrën e së cilës u vodhën 1.5 milionë lekë.
Burime nga Policia e Qarkut të Beratit bëjnë të ditur
se mëngjesin e djeshëm ka rënë në pranga Saimir Zylyftari,
i identifikuar si autor i dyshuar i kësaj
vjedhjeje. Ka qenë ora 08.00 e mëngjesit të djeshëm,
kur uniformat blu kanë prangosur në banesën e tij
30-vjeçarin Zylyftari, banor i qytetit të Poliçanit. Nga
hetimet në vendin e ngjarjes, por dhe marrjes në
pyetje të një numri të madh banorësh të lagjes ku
ndodhi vjedhja, policia ka arritur të identifikojë autorin
e vjedhjes. Burime zyrtare nga policia bëjnë të
ditur se nga veprimet operative dhe procedurale,
gjatë kontrollit në banesën e të riut janë sekuestruar
në cilësinë e provës materiale shuma prej 850 mijë
lekësh, që mësohet se është pjesë e parave të vjedhura
në ambientet e filialit të postës. Veç parave, është
bllokuar një makinë tip "Renault Clio" me targa DR
78 35 E, pronë e autorit të dyshuar dhe një aparat
celular i tipit "Nokia". Burime zyrtare konfirmojnë se
30-vjeçari Zylyftari njihet si person me precedent të
mëparshëm për vjedhje. Ai është dënuar në Holandë
dhe Francë për vjedhje të banesave dhe shpërndarje
të lëndëve narkotike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›