E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vritet me breshëri automatiku 45-vjeçari

Vrasja e një ish-punonjësi të antikontrabandës
në hyrje të
pallatit ku banonte ka tronditur
qytetin e Durrësit. Agush
Hyzoti ka rënë pre e një breshërie automatiku,
që është derdhur mbi të nga
një person ende i panjohur për Policinë
e Durrësit, ndërkohë që dy muajt e fundit
është rikthyer frikshëm krimi i rrugës
në qytetin që dallohet për rend e siguri.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në lagjen 11,
rreth orës 17.40 të ditës së djeshme, në
rrugën që njihet si Rruga e Gjykatës, në
të cilën ndodhet godina e Gjykatës dhe
Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës.
Viktima punonte si kambist në tregun e
këmbimit valutor në qytet. Ai është dërguar
menjëherë për në spitalin rajonal të
qytetit, por plagët e marra kanë qenë fatale
për të dhe ndërhyrja e mjekëve e panevojshme.
Në vendin e ngjarjes kanë
shkuar menjëherë shërbimet dhe
agjentët e antikrimit, përfshirë dhe
prokurorin e gatshëm këtë fundjavë. Me
gjithë veprimet e shpejta, marrjen e
dëshmive të para, ngritjen e postblloqeve
të shumta dhe krehjen e zonës nuk
është bërë e mundur deri në mbrëmje
vonë identifikimi i autorit të ngjarjes. Ai
është larguar me shpejtësi, sapo ka qëlluar
mbi 45-vjeçarin. Ndërkohë, në
vendngjarje janë mbledhur me shpejtë-
si qytetarë të ndryshëm, ndërsa ata që
kanë dëgjuar të shtënat dhe kanë parë
trupin e mbytur në gjak të Hyzotit vazhdojnë
të jenë të tronditur pa mundur të
tregojnë ndonjë detaj të rëndësishëm që
të ndihmojë policinë në gjetjen e autorit.
Viktima është baba i tre fëmijëve dhe
disa vite më parë ka punuar në strukturat
e antikontrabandës. Ai u pushua nga
kjo detyrë rreth 5-6 vjet më parë, së
bashku me persona të tjerë që u përfshinë
në kapjen e një sasie cigaresh kontrabandë.
Që atëherë, 45-vjeçari nisi të
merrej me këmbimin valutor për të siguruar
të ardhura për familjen e tij. Janë
ngritur disa pista për ngjarjen, po
burime nga policia bëjnë të ditur se asnjëra
prej tyre nuk mund të deklarohet
me siguri, pasi ende mungojnë të dhëna
të mjaftueshme në të cilat të bazohen.
Ndonjë borxh i marrë, abuzim
gjatë punës duke dëmtuar financiarisht
klientin, "shkelje në kallo", apo edhe
ndonjë krizë e moshës së mesme që lidhet
me ndonjë femër kanë qenë hamendësimet
e para të agjentëve të antikrimit,
mbi bazën e të cilave po punohet
për të zbardhur motivet e kësaj
vrasjeje dhe autorit të saj. Gjithsesi,
vrasja ka mbetur mister, pasi viktima
njihej si qytetar korrekt.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›