E Diel, 1 Nëntor 2026

Prangoset polici për përdhunimin e të mitures

TIRANË – Një fëmijë ka rënë viktimë e abuzimit, por kësaj radhe, autori i krimit është një person që paguhet për të garantuar rend dhe siguri. Dje është prangosur një punonjës policie, i vënë nën hetim për kryerje të marrëdhënieve seksuale me dhunë me një të mitur. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se është arrestuar shtetasi Çaush Nebi Saliasi, 42 vjeç, lindur në Skrapar dhe banues në Tiranë me detyrë punonjës policie në Komisariatin e Policisë Kavajë. Operacioni për kapjen e tij është bërë nga Sektori i Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, pranë Drejtorisë së Policisë së Qarku Tiranë. Zëdhënësja e policisë, Alma Katragjini bën të ditur se arrestimi i policit Saliasi u bë ditën e hënë, rreth orës 16.30, pasi dyshohet se në Kavajë, në ambientet e një lokali, ka tentuar të kryejë marrëdhënie seksuale me dhunë me një shtetas të mitur”. Burimet policore bëjnë të ditur se materialet në ngarkim të shtetasit Çaush Saliasi i kaluan prokurorisë pasi akuzohet për konsumim të veprës penale të “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me dhunë, më të mitur të moshës 14 - 18 vjeç”.

Denoncimi, kërkohet vajza 14-vjeçare

DURRËS – Një vajzë 14-vjeçare është larguar prej 9 ditësh nga banesa, gjë që ka detyruar familjen që të kërkojnë ndihmën e policisë për gjetjen e saj. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se të hënën pasdite, rreth orës 18.30, shtetasi R.K., banor i lagjes Nr. 7 në qytetin bregdetar ka bërë kallëzim në Polici për largimin nga banesa më datë 13.12.2009 të vajzës së tij, shtetasen A.K., 14 vjeçe, lindur në Burrel e banues në lagjen Nr. 7 në Durrës. “Nga ana jonë u bë shpallja në kërkim dhe po punohet për gjetjen e kësaj shtetase”, - thonë burimet zyrtare të policisë së Qarkut, sipas të cilave, materialet për këtë çështje i kanë kaluar organit të akuzës.

Prangoset, shfrytëzoi 13-vjeçaren për prostitucion

GRAMSH – Një person i akuzuar për trafikimin për qëllime prostitucioni të një të miture ka përfunduar në pranga. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se mbrëmjen e së hënës, rreth orës 22.30, u bë ekzekutimi i Urdhrit të Ndalimit të Prokurorisë së Elbasanit, në ngarkim të shtetasit Fatbardh Çekrezi, lindur dhe banues në Gramsh, person i shpallur ne kërkim’. Sipas tyre, agjentët e Seksionit Kundër Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Elbasan kanë bërë të mundur kapjen e 22 vjeçarit Çekrezi, pasi dyshohet se ka konsumuar veprën penale të “Shfrytëzimit të prostitucionit në rrethana të rënduara”, me shtetasen Xh.K, 13 vjeç, lindur dhe banuese në Gramsh. Fatbardh Çekrezi, përgjatë tri ditëve, së bashku me 13-vjeçaren Xh. K., kanë qëndruar në Tiranë. “Në lidhje me këtë rast po punohet për dokumentimin e sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, - thonë burimet policore, sipas të cilave, i arrestuari pritet të përballet me akuzën e “Shfrytëzimit të prostitucionit” “ Marrëdhënie seksuale me të mitur, e kryer në bashkëpunim”.

23 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›