“Qeveria mbështet përpjekjet për t’i bërë universitetet promotorë të zhvillimit”
Kryeministri Sali Berisha merr pjesë në përkujtimin e 60-vjetorit të Universitetit Politeknik të Tiranës
Kryeministri Sali Berisha e cilësoi 60 vjetorin e Universitetit Politeknik të Tiranës, si një ditë historike për botën akademike, intelektuale dhe shkencore shqiptare. Ai theksoi se qeveria do të mbështesë përpjekjet për t’i bërë universitetet e këtij vendi promotorë të zhvillimit.
Berisha falënderoi ata pedagogë që themeluan 60 vjet më parë këtë Universitet, të cilin e cilësoi si, “promotor kryesor i mendimit shkencor-teknik të vendit”. “I themeluar 60 vjet më parë si Instituti Politeknik i Tiranës, sot Universiteti Politeknik feston këtë përvjetor pasi studentët dhe pedagogët e tij kanë firmosur në këto 6 dekada qindra dhe mijëra projekte që kanë transformuar Shqipërinë. Ai është sot lokomotivë e vërtetë e mendimit, kërkimit tekniko-shkencor inxhinierik të vendit”, tha Kryeministri.
Ai bëri të ditur se, “nga 60 studentë që hynë në auditorët e tij 60 vjet më parë, sot këtu studiojnë rreth 12 mijë vajza dhe djem në 6 fakultete dhe 2 institute kërkimore-shkencore dhe japin mësim rreth 730 pedagogë. Universiteti disponon një infrastrukturë moderne për kërkimin shkencor dhe mësimdhënien. Ai ka vendosur një bashkëpunim të shkëlqyer ndërkombëtar me Universitetet e vendeve partnere”.
Duke iu drejtuar pedagogëve dhe studentëve të Universitetit Politeknik, Berisha tha se “ato të vërteta tekniko-shkencore që kërkoni, nuk duhet të zbejnë kurrë disa të vërteta të tjera më eprore si liritë dhe të drejtat themelore të njeriut, përgjegjësitë qytetare, që përbëjnë dhe thelbin e vërtetë të çdo intelektuali”.
Berisha shprehu nderimin më të madh për ata mijëra studentë dhe pedagogë që me lëvizjen e tyre të dhjetorit 1990 përmbysën në Shqipëri regjimin komunist, regjimin më barabar në Evropë.
“Përgjegjësitë që ju merrni janë vendimtare për fatet e të ardhmes së kombit, në sfidat e vështira të mëdha të të ardhmes. Në zbatimin e projektit më të bukur për çdo shqiptar ‘Shqipëria vend i zhvilluar’. Ky projekt do të bëhet realitet i qëndrueshëm vetëm e vetëm kur ne të vendosim në themel të zhvillimit të gjithanshëm inovacionin, revolucionin teknologjik, post-teknologjik, dijen”, u shpreh Kryeministri.
Sipas tij, “është jetike që familja shqiptare, shoqëria dhe shteti të vendosin në themel të të gjitha përparësive, zhvillimin e të rinjve shqiptarë”.
“Për mazhorancën aktuale edukimi i të rinjve është dhe do mbetet përparësi e të gjitha përparësive”, tha Berisha, duke renditur disa nga arritjet e qeverisë në fushën e arsimit.
“Në këto vitet e fundit, në sajë të reformave të thella, arritëm që një sistem, i cili po degradonte dhe po shembej, të vendoset në shinat e zhvillimit. Në një kohë të shkurtër ne dyfishuam rrogat e mësuesve dhe rindërtuam e ndërtuam mbi 1200 shkolla dhe kampuse. Shtruam internetin në çdo shkollë. Por mbi të gjitha ia dolëm që sot 91 për qind e të gjithë nxënësve që mbarojnë klasën e 9-të të hyjnë në shkollat e mesme, nga më pak se 70 për qind që ishte kjo shifër pak vite më pare”, tha Berisha.
Ai vuri më tej në dukje se, “arritja më e madhe në historinë e arsimit shqiptar qëndron në faktin se numri i studentëve në Universitetet tona u rrit nga 52 mijë në vitin 2005 në 138 mijë në vitin 2010. Sot në Shqipëri 70 për qind e atyre që mbarojnë shkollat e mesme ulen në auditorët e Universiteteve dhe kjo është një përqindje ndër më të lartat në botë”.
Berisha theksoi se, “sot në Universitetet shqiptare studiojnë 138 mijë djem dhe vajza në 556 programe të ciklit të parë, të dytë dhe të tretë, që zhvillohen nga një staf akademik prej 10 mijë pedagogësh, nga të cilët 6534 janë me grada dhe tituj shkencore”.
“Pa dyshim, vijoi Kryeministri, ky është një zhvillim madhor, i shpejtë dhe shoqërohet natyrshëm me vështirësi të pamohueshme, por është zhvillim i domosdoshëm”.
Megjithatë, sipas Berishës, “hapja e dyerve të universiteteve për studentët shënon krijimin dhe vendosjen para shanseve të barabarta të shkollimit për të rinjtë shqiptarë. Kjo e bën shoqërinë shqiptare më të drejtë, më të ndershme”.
Kritikëve të kësaj politike, të cilët pretendojnë se Universitetet u shndërruan në pellgje papunësie, Berisha i kujtoi se “në Shqipëri dhe në asnjë vend tjetër të botës, Universitetet nuk shpërndajnë leje punësimi, por studimet në Shqipëri dhe në mbarë botën kanë faktuar se të diplomuarit kanë 50 për qind shanse më të mëdha punësimi sesa të padiplomuarit, se të diplomuarit sigurojnë 50-70 për qind më shumë të ardhura sesa të padiplomuarit”.
“Politika e dyerve të hapura dhe shanseve të barabarta për pranimet në universitetet tona është jetike për Shqipërinë. Ajo duhet me shpejtësi të kapë kohën e humbur”, tha Berisha, i cili kujtoi se në vitin 2001 Shqipëria kishte të diplomuar në raport me popullatën rreth 8 herë më pak se SHBA, 7 herë më pak se vendet Skandinave, 6 herë më pak se vendet e zhvilluara të Evropës. “Por, vijoi Kryeministri, me gjithë përpjekjet që kemi bërë, sërish sot jemi disa herë mbrapa këtyre vendeve. Shqipëria ka sot gjithsej 240 mijë të diplomuar. Duhet të kishte së paku tre herë më shumë. Historia e zhvillimit ka faktuar se për të arritur vlera të larta në prodhime dhe në shërbime, për të ndjekur orën globale, për të ndjekur revolucionin teknologjik të komunikimit dhe revolucionin post-teknologjik për inovacionin, për të vendosur zhvillimin post-teknologjik mbi bazat e dijes, shkollimi është elementi më vendimtar”, shtoi Berisha. “Këtë distancë ne e marrim si një sfidë, si një mundësi për ta zgjidhur me vendosmëri të madhe”, përfundoi Kryeministri Sali Berisha.