E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosovë, Rama takime me presidenten Jahjaga, Krasniqin, LDK, VV

KOSOVË- Kreu i PS Edi Rama sot në ditën e tretë në Kosovë. Kryesocialisti takohet me Presidenten Jahjaga si dhe me përfaqësues të LDK dhe Vetvendosje. Rama takim edhe me kryeparlamentarin Krasniqi.

RAMA ME JAHJAGËN: VIZITA NË DITË FESTE, SI NJË SIMBOLIKË
 Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, tha sot gjatë takimit me kryetarin e Partisë Socialiste të Shqipërisë, Edi Rama, se , "demokracia parlamentare në Shqipëri ka arritur sukses. Në Shqipëri ka përafrim me standardet dhe në parimet mbi të cilat duhet të ecë vendi dhe se të ardhmen e saj shohim në integrimet euroatlantike dhe në anëtarësimin në Bashkimin Evropian".
Presidentja Jahjaga theksoi se, "jam zgjedhur Presidente konsensuale dhe do të respektojë Kushtetutën dhe ligjin në secilin rast, pasi në këtë mënyrë i jap shembull parimit të sundimit të ligjit".
"Të gjithë po mësojmë nga përvojat tona dhe se tashmë marrëdhëniet ndërmjet subjekteve politike janë qetësuar duke arritur konsensus në drejtimet themelore, gjë që është në interes të Kosovës dhe të qytetarëve të saj", u shpreh Jahjaga.
Kryetari i PS-së të Shqipërisë, Edi Rama, vlerësoi rolin institucional, por edhe inkurajues që presidentja e Kosovës ka luajtur që nga fillimi i mandatit të saj.
"Kosova dhe Shqipëria po avancojnë në proceset integruese evropiane. Duhet realizuar aspirata e brezave të rinj për integrimin evropian duke inkurajuar këtë proces nëpërmjet thellimit të reformave", theksoi Rama.
Ai u shpreh se , "vizita e tij në Kosovë realizohet pikërisht në Ditën e Flamurit si një simbolikë". Kreu i PS-së i dhuroi Presidentes së Kosovës librin e tij "Kurban".

RAMA TAKON KRYEPARLAMENTARIN KRASNIQI
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, priti sot në takim një delegacion të Partisë Socialiste të Shqipërisë, të kryesuar nga kryetari i saj, Edi Rama. Krasniqi e Rama, pasi këmbyen urimet me rastin e festave të Nëntorit, diskutuan për zhvillimet aktuale në Kosovë dhe bashkëpunimin ndërmjet dy shteteve. Kryetari i Kuvendit e njoftoi z. Rama me ngjarjet e fundit në veri të Kosovës dhe me zhvillimet e tjera në vend. Krasniqi u ndal edhe në çështjen e liberalizimit të vizave dhe pengesat që Kosova po has në rrugën e saj të përfaqësimit ndërkombëtar e të integrimit, si pasojë e mosnjohjes nga pesë shtete të Bashkimit Evropian.

Në këtë frymë bashkëpunimi, kryetari i PS-së, Edi Rama, potencoi arsyeshmërinë dhe domosdoshmërinë e unifikimit të arsimit ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës dhe bëri të ditur se për ta shtyrë përpara këtë proces, Partia Socialiste e Shqipërisë është duke hartuar një platformë.
“Unifikimin e gjuhës shqipe, z. Rama e konsideroi të arritur të madhe kombëtare e historike dhe që si të tillë, sipas tij, duhet ruajtur e pasuruar”, ka njoftuar Zyra për media dhe marrëdhënie me publikun e Kuvendit të Kosovës.

RAMA NË SELINË E LDK: LISTAT E HAPURA TË DËSHTUARA, NUMËRIMI ELEKTRONIK JETIK
Kreu i partisë Socialiste Edi Rama i cili ka preferuar të festojë 99-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë me shqiptarët e Kosovës gjatë vizitës së tij tre ditore sot zhvilloi një takim në selinë e LDK-së.
Gjatë bisedës së tij me homologët kosovar, ku kanë diskutuar për cilësinë e procesit zgjedhor në të dyja shtetet, Rama nënvizoi se LDK i vlerëson si të dështuara listt e hapura, ndërkohë që cilëson si jetik numërimin elektronik.
“Në selinë e LDK folëm për cilësinë e procesit zgjedhor. Miqtë e LDK vlerësojnë të dështuara listat e hapura dhe jetik numërimin”,- komenton në faqen e tij zyrtare në twitter Rama.

RAMA: VETËVENDOSJA HAPËSIRË PLOT ENERGJI
Lideri i opozitës shqiptar Edi Rama gjatë vizitës së tij në Kosovë ka zhvilluar një takim me kreun e lëvizijes Vetëvendosja Albin Kurti.
Rama ka vlerësuar bisedën me Kurtin si një kënaqësi intelektuale, ndërkohë ka theksuar se lëvizja Vetëvendosje është një hapërisë plot energji.

“Selia e Levizjes Vetevendosja nje hapesire plot energji dhe imazhe terheqese. Biseda me Albin Kurtin nje kenaqesi intelektuale”,.- këtë koment ka lënë Rama në faqen e tij personale ne twiter pas takimit me liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurti.

RAMA VIZITË NË FAMILJEN E HARADINAJT
Gjatë vizitës së tij në Kosovë, Edi Rama ka zhvilluar një vizitë në shtëpinë e kreut të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj, i cili është pritur nga babai i tij Hilmi Haradinaj. Zyra e shtypit e PS-së bëri të ditur se pas kësaj vizite për mediat Rama është shprehur që gjithshka të zgjidhet shpejt e me drejtësi.
"Është një moment i veçantë pasi është një episod i veçantë i vizitës. I jam shumë mirënjohës për mikëpritjen. Së bashku me të atin e Ramushit urojmë që gjithshka të zgjidhet shpejt dhe të zgjidhet drejtë”, u shpreh kryesocialisti.

Me këtë rast, Rama ka urua babain e Haradinajt për Festën e Flamurit. Ndërsa Hilmi Haradinaj e theksoi si nder që i bëhet familjes së tij vizitën e Ramës.
"Është një vizitë që e prita më shumë kënaqësi. Është një vizitë e veçantë që vjen një udhëheqës nga Shqipëria dhe uron Festën e Flamurit dhe na nderon të gjithëve. Për mua nder më të madh nuk ka. Uroj që të gjithë të jemi sa më të bashkuar”, është shprehur ai./a.g/
(ma.ar/da.bo/el.me/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›