Tragjedia, firma amerikane nuk kontrolloi nënkontraktoren shqiptare
Gra dhe fëmijë në kantierin e municionit. Të punësuarit pa kualifikim e kontrata pune
Habjon Hasani
Firma amerikane “Southern Ammunition”, e cila ishte kontraktuar nga Ministria e Mbrojtjes dhe NATO-ja për çmontimin e municioneve në fshatin Gërdec, prej javësh kishte abandonuar mbikëqyrjen e punimeve. Mësohet se kjo firmë, pasi ka përzgjedhur si nënkotraktor të saj firmën shqiptare “AlbDelijorgji 2007”, ka kryer shumë rrallë kontrolle apo inspektime të punimeve dhe të stafit të punësuar. Sakaq, “Albania” ka mundur të mësojë se një pjesë shumë e madhe e punonjësve kanë qenë tërësisht të pakualifikuar dhe amatorë për çmontimin e municioneve luftarake. Megjithëkëtë, duket se përveç problemeve me kualifikimin e punonjësve, një tjetër problem lidhet dhe me punësimin dhe sigurimin e jetës së tyre. Për orë me radhë askush nuk mund të thoshte numrin e punonjësve që ndodheshin në kantier në momentin e tragjedisë. Ndërsa e gjithë qeveria ishte “ngritur më këmbë” për të ndjekur ngjarjen dhe për të marrë masat, askush nuk ishte në gjendje të përcaktonte numrin e saktë të punëtorëve që ndodheshin në vendin e tragjedisë.
Problemet
Operimi i firmave që kryejnë çmontimin dhe demilitarizimin e pajisjeve dhe municioneve luftarake kërkon së paku sigurimin e jetës së punonjësve dhe kualifikimin e panegociueshëm të tyre. Në këto kushte do të ishte krejt normale që menjëherë pas tragjedisë të evidentoheshin të gjithë punonjësit që ndodheshin në kantier në momentin e shpërthimit, pasi si rregull duhej të ekzistonin lista me emrat e punëtorëve të kualifikuar që punonin për firmën. Por edhe pse autoritetet më të larta shtetërore kanë kërkuar për orë me radhë të mësonin numrin e punonjësve që gjendeshin në kantier, asnjë e dhënë nuk u sigurua nga nënkontraktori shqiptar e aq më pak nga kompania amerikane, e cila thuajse kishte ”hequr dorë” nga kontrolli mbi mbarëvajtjen e punimeve apo të stafit të punonjësve.
Ligji
Ndërsa kryeministri shqiptar theksonte dje në mbrëmje se ”Shqipëria ka probleme serioze me municionin” duket se një fakt i tillë nuk ka shumë lidhje me situatën e krijuar. Kjo pasi qeveria ka kontraktuar një firmë amerikane të specializuar për demilitarizimin dhe çmontimin e municioneve, ndërsa vetë qeveria shqiptare, shumë orë pas tragjedisë, mundi të mësonte numrin e punonjësve të përfshirë në tragjedi. Disa dëshmi të njerëzve të mbijetuar, apo të të tjerëve që kishin të afërmit e tyre në vendin e tragjedisë, duket se kanë zbardhur shumë detaje të rëndësishme për mënyrën se si menaxhonte firma amerikane dhe nënkontraktorja e saj kantierin e rrezikshëm. Një prej të lënduarve ka treguar dje para kamerave televizive se dy kushërinj të tij punonin në atë fabrikë prej pak kohësh, duke zbuluar se që të dy këta punonjës jo vetëm nuk ishin kualifikuar për të kryer këtë punë, por ishin marrë edhe pa asnjë kontratë nga kompanitë në fjalë.
17 Mars 2008