Precedenti i vitit 2005, KQZ i hapi rrugë komisionit hetimor
Procedura ligjore për hapjen e kutive të materialeve zgjedhore e ka një precedent. Në vitin 2005, komisioni hetimor parlamentar për zgjedhjet e 3 korrikut i kërkoi KQZ-së vënien në dispozicion të bazës materiale. Vendimi që mban numrin 1678, i hartuar nga drejtoria juridike e KQZ-së, thotë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e datës 18.11.2005, me pjesëmarrjen e Ilirjan Celibashit kryetar, Tomor Malajt anëtar, Klement Zgurit anëtar, Dëshira Subashit anëtare dhe Dodë Prenga anëtar, shqyrtoi çështjen me objekt vënien në dispozicion të materialeve zgjedhore Komisionit Hetimor të Kuvendit “Për zbatimin e legjislacionit në përgatitjen dhe zhvillimin e procesit zgjedhor të datës 3 korrik 2005”. Referenca e bazës ligjore është neni 29, pika 1 e ligjit nr. 9087, datë 19.06.2003 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, pasi shqyrtoi dokumentacionin e paraqitur, si dhe dëgjoi diskutimet e të pranishmëve, vëren se kryetari i Komisionit Hetimor “Për zbatimin e legjislacionit në përgatitjen dhe zhvillimin e procesit zgjedhor të datës 3 korrik 2005” z. Arben Isaraj, i është drejtuar KQZ-së me shkresat me nr. 2225/5 prot. nr. 2225/6 prot. dhe nr. 2225/7 prot. të datës 16.11.2005. Komisioni Hetimor i Kuvendit “Për zbatimin e legjislacionit në përgatitjen dhe zhvillimin e procesit zgjedhor të datës 3 korrik 2005” i kërkon KQZ-së që për nevoja të hetimit t’i vërë në dispozicion dokumentacionin si më poshtë: Listat e zgjedhësve, të cilat ndodhen në kutitë e materialeve zgjedhore të Qendrave të Votimit të ZZ nr. 24, ZZ nr. 27, ZZ nr. 28 dhe ZZ nr. 29 të Qarkut Durrës, ZZ nr. 32, ZZ nr. 33, ZZ nr. 36, ZZ nr. 38, ZZ nr. 39, ZZ nr. 40, ZZ nr. 41, ZZ nr. 43, ZZ nr. 44, ZZ nr. 47, ZZ nr. 48 dhe ZZ nr. 50 të Qarkut Tiranë dhe ZZ nr. 74, ZZ nr. 75, ZZ nr. 76, ZZ nr. 77 ZZ nr. 78 dhe ZZ nr. 79 të Qarkut Berat. Tabelat e rezultateve për partitë politike dhe koalicionet (Model 57-07) të GNV-ve të zonave zgjedhore të mësipërme. Fakset e ardhura në KQZ nga këto zona zgjedhore me rezultatet paraprake pas numërimit të kutive të para nga GNV-të. Tabelat përmbledhëse të rezultateve për partitë politike dhe koalicionet (Model 40-05) të këtyre KZZ-ve. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi “të ngrihet një komision i posaçëm për hapjen e kutive të materialeve zgjedhore të qendrave të votimit për këto zona zgjedhore. Komisioni përbëhej nga Erton Kashta sekretar i KQZ-zë, Erida Dobrushi drejtore e Drejtorisë së Logjistikës Zgjedhore, Andi Bala drejtor juridik, Gledian Llatja inspektor në DKZ, Elvis Koleka specialist në DLZ, Alfred Spahiu inspektor në DLZ. Komisioni do të hapë kutitë e materialeve zgjedhore sipas procedurës së mëposhtme: a. mban shënim në procesverbal numrat e vulave me kod sigurie me të cilat janë mbyllur kutitë e materialeve zgjedhore; b. hap kutitë e materialeve zgjedhore një nga një duke nxjerrë listën e zgjedhësve të qendrës përkatëse të votimit dhe bën shënimet përkatëse në procesverbal; c. mbyll kutitë e materialeve zgjedhore me vula me kod sigurie, duke i shënuar ato në procesverbal. Sipas vendimit, ky komision listat e zgjedhësve të nxjerra nga kutitë e materialeve zgjedhore i dorëzohen së bashku me procesverbalin, Zyrës së Regjistrimit të Akteve dhe Dokumentacionit. “Përfaqësuesit e partive politike, përfaqësuesit e medias apo çdo person tjetër i interesuar, mund ta ndjekë procesin e hapjes së kutive të materialeve zgjedhore, pasi ka marrë më parë autorizim nga kryetari i KQZ-së”, thuhej në vendim.
#