E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prini: U punësova në fabrikë disa muaj para hapjes

Një dëshmi mjaft interesante dhe e konsideruar e rëndësishme nga organi i akuzës është dhënë në gjykatën e Tiranës, në procesin për tragjedinë e Gërdecit. Ka qenë dëshmia e ish-rojës së fabrikës së demontimit në Gërdec, shtetasit Beqir Prini, e dhënë një seancë më parë, i cili ka pohuar se ishte punësuar si roje i fabrikës që në fillim të shkurtit 2007, në një kohë kur fabrika e demontimit ende nuk ishte shpallur si vendi ku do të demontoheshin municione. Sipas prokurorëve, punësimi i Prinit në fabrikë ka qenë një muaj para se të dilte projektvendimi për procedurën e trajtimit të armëve, teknikës dhe pajisjeve të forcave të armatosura të hequra nga armatimi dhe përdorimi. Pas këtij vendimi, Ministrisë së Mbrojtjes i janë dashur edhe tre muaj që të nxjerrë një urdhër për përzgjedhjen e kompanisë së huaj “Sac” dhe shoqërinë e nënkontraktuar “Albademil” për procedurën e shitjes së municioneve me gëzhoja tunxhi. Roja ka rrëfyer me detaje mënyrën e punësimit, kohën, personat që e kanë punësuar në fabrikë dhe sa kohë ka ndenjur si rojë në këtë fabrikë. Sipas përfaqësuesve të akuzës në këtë proces, nëse ballafaqohen dokumentet e sekuestruara që përshkruajnë si u hap rruga për Gërdecin dhe dëshminë e ish-rojës, hidhet dritë mbi rrethana të reja që vënë në pozitë të pandehurit. Në dëshminë e tij, dëshmitari Prini ka deklaruar se në fillimet e punës së tij, përkatësisht gjatë muajit shkurt 2007, si roje kishte parë të vinin e të sistemonin vendin Mihal Delijorgji dhe Dritan Minxholli, këta, të shoqëruar edhe nga persona të tjerë. Sipas prokurorisë, kjo dëshmi konsiderohet si mjaft e rëndësishme, pasi sipas deklaratave të ish-rojës, nëse do t'i referohen periudhës kur Prini punonte në fabrikën e Gërdecit, është e njëjta kohë që sipas dokumenteve po zhvillohej edhe “beteja” për të krijuar këtë fabrikë. Seanca e djeshme u shty dhe nuk mundi të vijonte me dëshminë e 10 dëshmitarëve që ishin thirrur nga gjykata, pasi mungonte një pjesë e konsiderueshme e avokatëve, çka solli edhe shtyrjen e seancës për javën e ardhshme. Caktimi i seancës për të hënën ka kaluar me debate mes gjyqtarit kryesues dhe avokatit të Delijorgjit, pasi ky i fundit nuk ishte dakord për zhvillimin e gjyqit dy ditë në javë, me argumentin se kishte edhe gjyqe të tjera. Gjyqtari Hado e kundërshtoi reagimin e avokatit Haxhia, duke i thënë se gjyqi ka kohë që ka filluar, datat janë përcaktuar dhe janë avokatët ata që tashmë duhet të lënë data dhe orare të tjera për gjyqet që kanë marrë përsipër. Ndërkohë, ashtu si dhe seancat e mëparshme, seanca e djeshme përveç misionit “Euralius”, tashmë po ndiqet edhe nga vëzhgues të OSBE-së.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›