Prefekti Keçi kthen mbrapsht buxhetin bashkiak
Për projektbuxhetin e Bashkisë së Tiranës për vitin 2009 duket se tashmë nuk ka më asnjë shpresë që të mund të marrë formë ligjore për zbatim pa u ndryshuar. Edhe prefekti i Tiranës, Ruzhdi Keçi, u është bashkangjitur kundërshtarëve të këtij buxheti që u rrëzua për dy herë me radhë nga këshilltarët e PD-së dhe LSI-së në këshillin bashkiak kryeqytetas. Prefekti Keçi e ka kthyer mbrapsht në bashki dokumentin më të rëndësishëm financiar për Tiranën në këtë vit. Prefekti Keçi, i cili është emëruar dhe ndodhet në varësi direkte të Kryeministrit Sali Berisha, nuk ka pranuar të vërë firmën e tij në projektbuxhetin e Bashkisë së Tiranës për 2009-ën. Ai nuk e ka firmosur draftin nën pretendimin se "në disa nene të tij projektbuxheti bie ndesh me ligjin për menaxhimin dhe funksionimin e pushtetit vendor". Por ndryshe nga sa deklaroi fillimisht, kur e mori në dorëzim këtë dokument vetëm me firmën e nënkryetarit të këshillit bashkiak, Petraq Simo, prefekti Keçi përmend faktin se janë shkelur dhe procedurat gjatë votimit. "Vendimi i Këshillit Bashkiak Nr. 1, datë 03.02.2009 për miratimin e buxhetit në parim të vitit 2009 dhe buxhetit afatmesëm 2009-2011, nuk është konfirmuar nga prefekti i Qarkut Tiranë. Unë nuk konfirmoj pesë nenet e ligjit për buxhetin, që nuk zbatohen. Procesi i votimit duhet të mbyllet deri në fund, kjo është një shkelje tjetër, deklaroi dje Ruzhdi Keçi, prefekt i Qarkut të Tiranës. Ai ka konfirmuar se projektbuxheti do t‘i kthehet sërish këshillit bashkiak, i cili duhet të vendosë nëse do të marrë në konsideratë apo jo qëndrimin e prefektit. "Por në rast se këshilli nuk do të mblidhet, atëherë çështja mund t‘i kalojë dhe gjykatës", paralajmëroi Keçi. Sipas tij, kjo strukturë vendimmarrëse duhet të mblidhet dhe një herë dhe ta marrë në shqyrtim buxhetin, pastaj ligji nuk e detyron këshillin që në mënyrë obligative të pranojë vërejtjet e prefektit. "Këshilli është i lirë në vullnetin e tij të mos i marrë në konsideratë vërejtjet e prefektit dhe në këtë rast vendimi quhet i mirëqenë, prefekti s‘ka të drejtë të shprehet më, po ka të drejtë që të atakojë me rrugë gjyqësore vendimin", shpjegoi qëndrimin e tij kreu i Prefekturës së Tiranës. Këtë vendim prefekti Keçi e ka dërguar pranë Bashkisë së Tiranës në rrugë postare mëngjesin e djeshëm.