E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Preferojnë” qelinë përballë gjobës

Autori i Lajmit: Ornela Manjani
Përballë gjobës preferojnë që të bëjnë disa ditë burg. Vetëm për këtë vit Gjykata e Faktit në Tiranë u ka konvertuar dënimin 62 personave, të pandehurve që kanë marrë një vendim në këtë institucion. Dyfishi i shifrës së personave që këmbejnë gjobën me burg krahasuar me një vit më parë shpjegohet me vështirësitë e ekonomike. Një ditë burg kushton 2 mijë lekë. Por nga të gjitha këto raste, vetëm katër janë femra. Burime nga gjykata bëjnë të ditur se vetëm gjatë këtij viti kjo gjykatë ka gjykuar 62 çështje për konvertim dënimi. Të njëjtat burime konfirmojnë se në këto raste të gjykuara përshihen persona për të cilët u është kthyer dënimi nga gjoba që kanë marrë në vlerë monetare në ditë burg. Ndërkohë ka dhe raste kur janë lënë të lirë persona që kanë vënë një garanci pasurore në këmbim të vuajtjes së dënimit.
Konvertimi
Burime nga gjykata bëjnë të ditur se, në rastet kur personat merren si të pandehur, në varësi të veprës penale që kanë kryer, marrin si dënim një gjobë në vlera monetare. Kjo e fundit varion sipas natyrës dhe rëndësisë së veprës penale për të cilën do të mbajnë përgjegjësi dënimi, ku kjo gjobë mund të konvertohet në ditë burgu. Kështu, vetëm gjatë këtij viti, në Gjykatën e Faktit të Tiranës janë konvertuar nga dënim me gjobë në dënim me burg rreth 62 raste. Konvertimi varion në bazë të shumës së detyrimit që ka personi ndaj shtetit. Sipas legjislacionit që është në fuqi, në vendin tonë një ditë burg është e barabartë me 2 mijë lekë. Sipas burimeve nga gjykata, nëse një person nuk paguan detyrimet që ka ndaj institucioneve, është i detyruar që të qëndrojë në qeli duke konvertuar shumën e detyrimit në ditë burg.
Të pranuar
Kërkesa në gjykatë për të konvertuar dënimin nga gjobë në burg për 62 persona është bërë nga prokuroria. Sipas burimeve nga organi gjykues mësohet se mospagesa në kohë e gjobës së dhënë ka detyruar akuzën që të kërkojë në gjykatë kthimin e saj në ditë burgu. Kështu nga 62 kërkesa janë pranuar për kthimin në ditë burgu të 12 personave, ndërsa të tjerëve pritet që t u jepet përgjigjja në ditët në vazhdim. Ndërkohë, për 12 persona, gjoba e kthyer në ditë burgu i ka bërë ata që të qëndrojnë në qeli për disa ditë. Paratë janë kthyer në ditë burgu ku 24 orë janë të barabarta me 2 mijë lekë. Këto llogariten edhe me gjobën duke dalë ditët e burgut.
Të pushuara
Për katër të dënuar gjykata e Tiranës nuk ka qenë e të njëjtit mendim me prokurorinë për kthimin e gjobës në ditë burg. Një nga këta të katërt është edhe Luiza Hoxhaj, ish-drejtoresha e postës shqiptare. Ajo ishte dënuar me gjobë për shpërdorim detyre.

Neni 467 (Kodi Procedurës Penale)
Ekzekutimi i dënimeve me gjobë
1. Vendimet që përmbajnë dënimin me gjobë ekzekutohen nga zyra e përmbarimit.
2. Kur vërtetohet pamundësia e marrjes së gjobës ose e një pjese të saj, prokurori i bën kërkesë gjykatës që ka dhënë vendimin për të bërë konvertimin. Me kërkesën e të dënuarit, gjykata mund ta shtyjë konvertimin deri në gjashtë muaj. Kjo periudhë nuk llogaritet në afatet e parashkrimit.
3. Kundër vendimit të konvertimit mund të bëhet ankim, i cili pezullon ekzekutimin e tij.

Neni 392 (Kodi i Procedurës Penale)
Detyrimi për pagimin e gjobës
1. Kur i dënuari nuk ka të ardhura ose pasuri të sekuestrueshme, gjykata ngarkon atë që përgjigjet civilisht për detyrimet e të pandehurit që të paguajë një shumë të barabartë me gjobën.

Përllogaritja e ditëve të burgut
Nëse një i dënuar për gjobë nuk i paguan paratë në ditën e caktuar nga gjykata, atëherë prokuroria kërkon po në këtë organ kthimin nga para në ditë burgu. Kjo sjell më pas që dënimi është i kryer dhe i dënuari nuk ka më punë me drejtësinë shqiptare. Kështu nga i lirë ai duhet të shkojë në qeli. Por burime nga organi gjykues bënë të ditur se në disa raste në këto ditë që kthen në burg llogariten edhe ato të masës së sigurisë. Kështu, nëse i dënuari ka qenë me masë sigurie arrest në burg e më pas ka dalë po nuk ka paguar gjobën, atëherë kjo e fundit kthehet në ditë burgu duke llogaritur e masën.

2 mijë lekë është përcaktuar në ligj që duhet të jetë për një ditë qëndrimi në burg. Tashmë, nëse një njeri bën burgim të padrejtë, 24 orë i llogariten me këtë shifër.

5 mijë lekë ka qenë disa kohë më parë konvertimi i një dite qelie. Kjo shifër do të jetë për të gjithë ata të dënuar që kanë qenë në qeli deri në momentin e shfuqizimit të këtij vendimi.

62 të dënuar janë dërguar në gjykatë nga Prokuroria e Tiranës, pasi ata kanë marrë një vendim duke u dënuar me gjobë për një vepër penale. Duke mos e paguar atë në kohën e duhur, akuza ka kërkuar konvertimin e saj në ditë burgu.

27 të dënuarve u është kthyer gjoba në ditë burgu. Gjykata ka qenë në të njëjtin mendim me prokurorinë vetëm në këto raste në të tjerat nuk ka qenë dakord dhe për një numër personash të dënuar, ende nuk është shprehur.

Ky lajm është publikuar: 02/07/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›