E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prej 5 vjetësh banorët pa ujë të pijshëm

Shkodër Banorët e fshatrave të komunës Dajç kanë probleme me furnizimin me ujë të pijshëm, pasi në shumicën e këtyre fshatrave pompat nuk funksionojnë prej vitesh. Për të siguruar ujin, ata janë detyruar të bëjnë shpime private, por uji që del prej tyre nuk është i kontrolluar dhe përdoret për nevoja të tjera, por dhe për të pirë, pasi jo të gjithë kanë mundësi ekonomike për ta blerë ujin e pijshëm. Në fshatin Shirq ujësjellësi nuk funksionon prej 5 vitesh dhe, sipas ish-punonjësit të saj Rrok Filipi, kjo ka ndodhur pasi ndërmarrja e atëhershme nuk përgjigjej për defektet e pompës së amortizuar dhe komuna nuk ka ndërhyrë për ta marrë në administrim apo për të gjetur zgjidhje.

”U dogj elektromotori dhe e bleva me lekët e mia. Nuk u përgjigj askush. Dy vjet e lëshova ujin pa marrë rrogë. Duhej një pompë e re dhe 60 metra tub, por askush nuk gjeti zgjidhje. Janë 220 familje në këtë fshat që e sigurojnë ujin me shpime private dhe jo nga ujësjellësi”. Në fshatin Darragjat të kësaj komune, ka 8 vjet që pompa e ujësjellësit nuk funksionon. Po kështu në Mushan, banorët e kanë zgjidhur privatisht sipas mundësive, furnizimin me ujë të pijshëm. Në fshatin Pentar, që nga nëntori i vitit të kaluar nuk funksionon ujësjellësi, dhe pompa e pajisjet e tij janë shumë të amortizuara. Banorët e këtij fshati shprehen se para 10 vitesh u pat vendosur një pompë e re, por ajo është amortizuar dhe tani ata nuk kanë ujë. “Është një banor i zonës, Gentian Palaj, biznesmen i kthyer nga emigracioni që me kontributin e tij po përpiqet të vendosë një pompë të re dhe sjellë ujin e pijshëm në Pentar, por rrjeti i tubacioneve është shumë i dëmtuar dhe për të patur siguri duhet ndërhyrë në riparimin tërësor të tij” shprehen banorë të Pentarit. Në çdo fshat të kësaj komune ka patur ambiente brenda të cilave ishte i instaluar sistemi i pompave që furnizonin me ujë të pijshëm banorët, por aktualisht ato janë jashtë funksionit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›