E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasësi shqiptar i mafies thyen kodin e heshtjes, akuzon bosin mafioz



Një vrasës me pagesë, me origjinë shqiptare, dikur pjesë jo me të drejta të plota e familjes mafioze “Gambino”, ka vendosur të thyejë “kodin e heshtjes” dhe të bashkëpunojë me prokurorinë amerikane, për të treguar krimet e bëra nga familja e rrezikshme Gotti. Xhon Aliti, dikur pjesë e klanit mafioz italian që vepronte në Nju Jork, por jo pjesë me të drejta të plota e familjes “Gambino”, është kthyer kështu në “i penduar” për drejtësinë amerikane. 46-vjeçari vendosi të mbajë anën e shtetit dhe të dëshmojë kundër bosëve italianë, të cilët nuk e lejuan kurrë të bëhej pjesë e tyre, kjo për shkak të origjinës së tij shqiptare dhe jo si të tyren, italiane. Nisur nga kjo, për Alitin ka qenë më mirë të zgjedhë që të bashkëpunojë me Prokurorinë e Nju Jorkut dhe të përfitojë kështu nga “aleanca” e tij me shtetin, duke dalë kundër bosëve, të cilët me gjithë punën e bërë, nuk e kanë lejuar atë të ecë në hierarkinë e familjes mafioze. Sipas deklaratave të bëra nga shqiptaro-amerikani, bosi i një prej familjeve mafioze të Nju Jorkut, John Gotti Jr., urdhëroi një sërë vrasjesh të gangsterëve rivalë. Ai gjithashtu pretendoi se të përfshirë në një tjetër vrasje ishin edhe dy oficerë policie. Viktima ishte një person, i cili kishte pasur të bënte me motrën e martuar të John Gotti-t, e cila tani punon në një televizion të qytetit. Aliti kishte qenë pjesëmarrës në një tjetër gjyq, ku ai kishte dëshmuar në lidhje me të akuzuarin Charles Carneglia, edhe ky një tjetër vrasës për “Gambino”-t, që para disa kohësh ishte familja më e madhe mafioze e Nju Jorkut.

Vrasjet

Gotti është akuzuar edhe më parë për tri vrasje të kryera. Gjatë gjyqit të bërë në janar, dëshmitarët treguan se pasi një fqinj i John Gotti-t në mënyrë aksidentale përplasi me makinë, duke e lënë të vdekur djalin e tij, ky i fundit u hakmor. Për këtë përdori vrasësin Carneglia, i cili e qëlloi fqinjin e bosit mafioz dhe më pas e futi trupin e tij në një fuçi me acid. Familjet mafioze të qytetit në vitet e fundit janë dëmtuar nga anëtarët e tyre, të cilët thyejnë kodin e heshtjes, të quajtur “Omerta” dhe nisin bashkëpunimin me prokurorët. Gjatë dëshmisë së tij, 46-vjeçari u shpreh se ai ishte marrë me shitjen e kokainës dhe një pjesë të fitimit ia kaloi familjes Gotti, edhe pse biznesi i drogës konsiderohej tabu në familje. Nga ana tjetër, Gotti ia riktheu favorin, duke u bërë shoqëruesi i tij në dasmën që shqiptaro-amerikani zhvilloi në qytet. Gjithashtu, Aliti i tregoi trupit gjykues se dy oficerë policie e ndihmuan atë në vrasjen e një rivali në biznesin e drogës në vitin 1988. Ai shtoi se një prej tyre, “një ish-polic i qytetit të Nju Jorkut, ishte i përfshirë në krime për një periudhë gati 20-vjeçare”. Gjatë dëshmisë së dhënë, 46-vjeçari tregoi se John Gotti Jr., kur u bë bosi i ri i mafies, e mori atë për të kryer një punë. “Duhej të vriste një person, i cili kishte kundërshtuar urdhrat e babait të tij. Ishte puna e tij e parë si bos dhe ai donte që ta bënte atë më së miri”, - u shpreh Aliti. Aliti u shpreh se Carneglia e la të vdekur viktimën në parkingun e makinave tek “World Trade Centre” në vitin 1990. Gotti ishte tepër i kënaqur pas kësaj pune. Sipas shqiptaro-amerikanit, bosi i familjes mafioze Gotti ishte i përfshirë në dy vrasje të tjera, të dyja në lidhje me drogën në vitet 1988 dhe 1991, për të cilat prokuroria amerikane e ka akuzuar atë. Avokatët e Carneglia-s kanë hedhur poshtë akuzat e bëra ndaj klientit të tyre. Ai ishte një prej 62 personave të arrestuar vitin e kaluar në atë që prokurorët e quajtën një prej goditjeve më të mëdha të një familjeje mafioze të Nju Jorkut. Që prej operacionit, 60 prej të arrestuarve janë deklaruar fajtorë nga gjykata. John Gotti Jr. është përballur me tre gjyqe të tjera, ndërkohë që prokurorët e akuzojnë atë për vrasjet e tre personave dhe të përfshirë në biznesin e drogës në qytet.

Përgatiti: Irgis Hysenaj

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›