E Diel, 1 Nëntor 2026

Prençi: Jo pjesë e politikës, zbatoni ligjin

16/04/2009  Zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit

TIRANE- Zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit kanë detyruar drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Shtetit Ahmet Prençi të zhvillojë një takim me drejtuesit e policive të qarqeve, shefat e rendit dhe sigurisë publike, shefat e komisariateve dhe drejtuesit rajonalë të kufirit. Mësohet se qëllimi i takimit, që u mbajt në Vlorë, ishte dhënia e disa porosive nga ana e drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit për rolin e Policisë së Shtetit para, gjatë dhe në përfundim të procesit zgjedhor. Në fjalën e tij Prençi ka pohuar se çdo punonjës i policisë të zbatojë vetëm ligjin dhe jo të bëhet palë me ndonjë subjekt politik. “Punonjësi i policisë, në rast se zbaton ligjin, të mos ketë frikë nga deklaratat politike. Ne jemi punonjës të shtetit dhe Kryeministri i Republikës ka përcjellë mesazhe të qarta për policinë. Çdo implikim i punonjësit të policisë në procesin zgjedhor do të jetë kthim mbrapa. Ne si drejtues qendrorë dhe ju si drejtues në qarqe do të monitorojmë çdo veprim të punonjësve të policisë dhe kushdo që do të shkelë ligjin do të ndëshkohet me masën më të rëndë disiplinore, deri në përjashtim nga radhët e Policisë së Shtetit. Ju kërkoj që të angazhoheni më tepër në këtë drejtim, me qëllim që policia të tregojë vlera të zbatimit të ligjit, sikundër edhe në zgjedhjet e fundit”, - theksoi drejtori i përgjithshëm Ahmet Prençi.

Kërkesa

Prençi ka tërhequr vëmendjen për sjelljen e punonjësve të policisë me qytetarët, duke kërkuar që gjatë procesit zgjedhor uniformat blu të nderojnë qytetarin dhe të ndëshkojnë shkelësin e ligjit dhe jo anasjelltas.

Monitorimi

Drejtori i përgjithshëm ka theksuar se në çdo qark do të ketë nga një përfaqësues të Drejtorisë së Përgjithshme, ekspert i komunitetit ndërkombëtar për të monitoruar veprimet e punonjësve të policisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›