E Shtunë, 31 Tetor 2026

Uisner: Zgjedhjet gur prove i procesit të integrimit në BE

16/04/2009  Presidenti Topi pret ish-të ngarkuarin e posaçëm të Departamentit të Shtetit për Kosovën

Ish-i ngarkuari i posaçëm i Departamentit të Shtetit të SHBA-së për Kosovën, Frenk Uisner, ka theksuar në takimin që zhvilloi me Presidentin e Republikës Bamir Topi rëndësinë e zgjedhjeve të 28 qershorit për të qenë të lira, demokratike dhe sipas standardeve perëndimore. Sipas tij, ato do të shërbejnë si gur prove për konsolidimin e demokracisë shqiptare dhe të procesit të mëtejshëm integrues në Bashkimin Evropian.

Uisner u prit dje në Pallatin e Brigadave nga Presidenti i Republikës, në kuadër të vizitës që ai po zhvillon në vendin tonë. Që në fillim të takimit Presidenti Topi shprehu mirënjohjen e thellë dhe vlerësimin për ndihmesën dhe mbështetjen e vazhdueshme të aleatit tonë më të madh e më të rëndësishëm, të SHBA-ve, për Shqipërinë, për zhvillimin dhe forcimin e demokracisë në vend, konsolidimin e shtetit ligjor dhe sidomos për realizimin e reformave për anëtarësimin në NATO. “Tashmë që u bë dhe anëtarësimi i plotë i Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe SHBA-ve, të cilat ne i konsiderojmë të një rëndësie parësore, do të forcohen më tej dhe do të kenë dimensionin e partneritetit, ku vendi ynë do të vazhdojë të sillet si një aleat tepër besnik”, - tha Topi. Ai ritheksoi gjithashtu edhe angazhimin e Shqipërisë për thellimin e mëtejshme të reformave të nevojshme për integrimin euroatlantik dhe rritjen e kontributit të saj të rëndësishëm dhe stabilizues në të gjithë rajonin e më gjerë. Duke folur për çështjen e Kosovës, kreu i shtetit shqiptar shprehu konsideratën e tij dhe për rolin dhe veprimtarinë e Uisner në përmbushjen e misionit të tij si ish-i ngarkuari i posaçëm i Departamentit të Shtetit të SHBA-ve për Kosovën. “Tani që qëllimi kryesor u arrit, vëmendja duhet të përqendrohet te njohja e Kosovës nga sa më shumë shtete dhe forcimi i shtetit të së drejtës si dhe te zhvillimi ekonomik”, - tha Presidenti për këtë çështje. Ndërsa Uisner, pasi i shprehu kreut të shtetit shqiptar urimet për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, vlerësoi arritjet e vendit tonë në proceset e tij integruese si në drejtim të reformave të rëndësishme të ndërmarra, si ajo në drejtësi, reforma zgjedhore, lufta pa kompromis kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, konsolidimi i shtetit të së drejtës etj. Bashkëbiseduesit ndanë mendimet edhe për krizën financiare botërore dhe efektet që mund të ketë ajo për vendet e rajonit tonë, sipas së cilës e ardhmja e të gjitha vendeve ballkanike pa përjashtim është e projektuar drejt integrimit në gjirin e strukturave euroatlantike dhe në familjen e madhe evropiane.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›