E Diel, 1 Nëntor 2026

“Qeveria të heqë barrën fiskale për biznesin e vogël”

16/04/2009  Kërkesa e ligjvënësve socialistë

Ligjvënësit socialistë lëshuan dje një tjetër kërkesë ndaj qeverisë “Berisha”. Grupi parlamentar i Partisë Socialiste, duke qenë i shqetësuar për situatën e rënduar në të cilën ndodhet biznesi i vogël, kërkoi heqjen e barrës fiskale. Gjatë një konference për shtyp deputeti socialist Shpëtim Idrizi, ndalur në këtë çështje, bëri me dije se “i kërkojmë qeverisë që në këtë periudhë krize të heqë për biznesin e vogël, por jo vetëm për të, të gjithë barrën fiskale antiligjore të vendosur nëpërmjet sistemit të referencave, të heqë praktikat antiligjore, që u cakton bizneseve pagat, çmimet e shitjes dhe blerjes, numrin e të punësuarve, rentabilitetin etj.”. Po në këtë funksion, ligjvënësit socialist i kërkuan qeverisë “t’i kthehet parimit themelor të administrimit fiskal: vetëdeklarimit, duke i kthyer tatimet nga gjoba në kontribut për shoqërinë”. Sipas Idrizit, Partia Socialiste është e bindur se shqiptarët me votën e tyre të 28 qershorit do t’u japin fund praktikave fiskale antiligjore e korruptive, që rëndojnë bizneset dhe xhepat e shqiptarëve. Ndërkohë, ndalur në situatën në të cilën ndodhet sot biznesi i vogël, deputeti socialist gjykoi se “kjo situatë e rënduar është pasojë e drejtpërdrejtë e politikave të gabuara fiskale dhe efekteve të krizës ekonomike, të cilën qeveria bën sikur nuk e sheh”. Sipas tij, ky mjedis i rënduar me taksa dhe në krizë nuk ekziston në parajsën qeveritare, por ai ndihet drejtpërdrejtë në xhepat e shqiptarëve me të ardhura minimale. Për këtë arsye Idrizi rikujtoi faktin se qeveria aktuale një nga premtimet më të bujshme në fushatën elektorale të vitit 2005 kishte përgjysmimin e taksës për biznesin e vogël nga 3 % në 1.5 % të xhiros, ku nga kjo ulje bizneset e vogla do të përfitonin nga 120 dollarë në vit, madje me këto para do të bënte dhe investime dhe do të punësonte njerëz. “Biznesi i vogël, që është baza e ekonomisë shqiptare, u mashtrua për efekte elektorale, duke iu përgjysmuar taksa. Por vetëm 2 vjet më vonë u shumëfishua barra fiskale për biznesin e vogël, duke paguar 10 % tatim mbi të ardhura, njësoj si biznesi i madh dhe ai VIP”, - u shpreh Idrizi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›