E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prenë shtyllat e korentit për të vjedhur telat, 2 në pranga

29/02/2012  Tre të tjerë grabitën kapakët e pusetave

TIRANË- Dy banorë të Paskuqanit u arrestuan dje sepse kishin prerë 5 shtylla të tensionit elektrik, për të vjedhur telat, ndërsa tre adoleshentë të tjerë u kapën sepse vidhnin kapakët e pusetave. Nga Komisariati nr.1 u arrit identifikimi dhe më pas kapja e dy shtetasve të dyshuar për veprën penale të vjedhjes dhe shkatërrimit të pronës. Më konkretisht u arrestuan në flagrancë shtetasit Aleksandër Leka, 23 vjeç dhe Jonuz Leka, 21 vjeç, të dy banues në Paskuqan 2, Tiranë. Arrestimi i tyre u krye sepse në bashkëpunim me njëri-tjetrin me datën 26 shkurt 2012, rreth orës 20.00, dyshohet se në fshatin Lundër, komuna Farkë, kanë prerë duke rrëzuar në tokë 5 (pesë) shtylla të tensionit elektrik si dhe kanë tentuar të vjedhin telat elektrik, në pronësi të një shtetasi. Shtetasit e mësipërm ishin shpallur në kërkim për veprat penale te vjedhjes dhe shkatërrimit të pronës, parashikuar nga nenet 134/2, 22 dhe 150 të Kodit Penal. Nga komisariati nr 6 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve A.P, 16 vjeç, banues në Vaqarr, B.M, 16 vjeç, banues në Sharrë dhe D.K, 16 vjeç, banues në Sharrë, sepse rreth orës 02.00, në Vaqarr, janë kapur në flagrancë duke vjedhur kapakët e pusetave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›