E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prenotimet e Vitit të Ri, "çmenden" baret dhe restorantet

Nën motivin e festës dhe
duke përdorur sebepin
e natës së ndërrimit të
viteve, lokalet, baret,
restorantet, pub-et dhe ambientet
private po "shesin" oferta me
çmime tejet të shtrenjta. Një
mbrëmje festive, meny pak më
të veçanta dhe më të pasura se
zakonisht, në të njëjtat "godina"
do të kushtojnë shumë shtrenjtë
këtë vit. Çmime të shtrenjta jo
vetëm në ambientet luksoze,
por edhe tek ato më të thjeshtat.
Një meny me disa pjata, pije dhe
ëmbëlsirë do të kushtojë nga 6
mijë, deri në 150 euro. Madje
për ata që nuk do të kthehen në
shtëpi, hoteli që do t‘i mirëpresë
do të jetë edhe më i shtrenjtë se
ditët e tjera. Çudi nuk do të jetë
as rritja e çmimit të mëngjesit, kafeve,
apo pijeve që konsumojmë
çdo mëngjes në ditën e parë të
vitit të ri.
Lokalet e qendrës, më të njohurat,
restorantet në qytetet
bregdetare, mjediset pranë natyrës,
malit, liqenit, apo dëborës
bashkë me menynë do të "shesin"
edhe panoramën e natyrës që i
favorizon në raste të tilla. Ata që
kanë mundësi, që do t‘u duhet të
qëndrojnë në punë deri në datë
31 dhjetor dhe nuk do të kenë
kohë të gatuajnë, apo ata që e
kanë traditë kalimin e festave
jashtë shtëpisë do t‘i duhet të
paguajnë më shumë se vitet e
kaluara. Çmimet e 2008-ës janë
më të shtrenjta se vitet që kemi
lënë pas.
Restorantet me 3 apo katër yje
do të ofrojnë meny me çmime
rreth 10 mijë lekëshit. Ata më
pranë qendrës edhe më shumë.
Restorante të tjera me pamje të
bukura, në qytetet kryesore të
vendit do të ofrojnë pothuajse të
njëjtat çmime, jo vetëm në lek,
por edhe në euro. Rritja e çmimeve
në treg, rritja e energjisë, rritja
e kërkesës për konsum, kushtet
më të mira që ofrojnë bizneset,
pasurimi dhe përmirësimi i ofertave
vit pas viti justifikon edhe
çmimet, sipas drejtuesve të marketingut,
në restorantet dhe lokalet
kryesore. Prestigji dhe emri që
kanë fituar pub-et apo bizneset
e "dëfrimit" në vend shesin edhe
logon bashkë me çmimin. Po
ashtu, lokalet e reja apo klubet,
që priten të inaugurohen për
këtë vit, do të konkurrojnë me të
vjetrat vetëm me ndonjë surprizë
të përgatitur në mbrëmje, por
çmimet do të jenë të njëjtat në
tregun e biznesit. Të tilla paketa
ofertash mund të krahasohen me
çmimet e vendosura në darkat që
organizohen për të njëjtin event
në qytetet evropiane.
Sakaq, shumica e pub-eve
restoranteve, lokaleve kanë afishuar
programin e festimeve për
Vitin e Ri, duke shpërndarë reklama,
mesazhe promocionale, për
"kapjen" e klientëve të parë.
Humor, muzikë, këngë, por
edhe përgatitje të tjera. Veshja,
aksesorët, krehjet, të gjitha me
shpenzime. Parukeritë deri tani
nuk i kanë rritur çmimet, madje
do të jenë në punë deri në orët
e vona të datës 31, pa kërkuar as
"bakshishe" me rastin e festave.
Të paktën e dinë që atë ditë klientela
do t‘u mbushë dyqanin dhe
fitimet do t‘i kenë të mëdha. Nuk
mund të themi të njëjtën gjë për
dyqanet e rrobave, aksesorëve,
apo produkteve të veshmbathjes.
Në vitrinat e dyqaneve këto ditë
festash kemi lexuar se ka oferta,
ulje deri në 50 për qind. Por kur
futemi brenda çmimet nuk kanë
ndryshuar shumë, pavarësisht
shkrimeve të vitrinës. Një fustan
për mbrëmjen e ndërrimit të
viteve varion nga 3-4 mijë lekë të
reja deri në shuma të mëdha, kjo
krahasuar me standardin e jetesës
dhe pagat minimale e mesatare që
ka vendi ynë. Çmimet e këpucëve,
bizhuterive, çantave, apo produkteve
të tjera, të cilat shpeshherë
i kemi menduar t‘i bëjmë
dhurata nuk kanë pasur uljen e
parashikuar dhe të menduar nga
qytetarët. Më bujarët janë treguar
supermarketet, të cilët kanë prodhime
afër skandencës. Këto produkte
janë tregtuar me gjysmën e
çmimit, por edhe me çmime pak
më të lira. Nga këto oferta duket
se mund të përfitojnë restorantet
apo dyqanet, të cilët punojnë për
konsum të gjerë.
Sakaq, një pjesë e mirë e administratës,
kompanive private,
bizneseve, kanë menduar të organizojnë
festa me rastin e fundvitit,
të japin shpërblime, në disa
raste edhe paketa dhuratash, për
punonjësit e familjarët e tyre.
Më shumë se një natë "pagane",
ku vitet i lënë vendin njëra-tjetrës,
nata e ndërrimit të viteve është
kthyer në festën më të madhe të
konsumit në të gjithë botën. Bizneset
japin oferta, çmimet nga viti
në vit po rriten, ndërsa qytetarët
kërkojnë të dëfrejnë dhe të kalojnë
një ditë ndryshe. Prandaj, shumica
e tyre mendon t‘i shpenzojë
këto para, të paktën për t‘i bërë
qefin vetes pas një viti me ngjarje
dhe të lodhshëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›