E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Top Channel", spektakël dhe surpriza në ndërrimin e viteve

Humor, këngë, balet.
Ndërrimi i viteve do
të vijë plot surpriza
në "Top Channel". Një
program special është menduar
të transmetohet për orë të gjata
në ekranin e televizionit. Tri net
të mbushura me spektakël dhe
atmosferë festive. "Alo Mirmroma"
do të jetë programi i parë
që do të çelë paketën festive.
Mbrëmja e 31 dhjetorit do të nisë
plot humor në orën 20.50, për të
vazhduar deri në orët e para të
vitit 2009. Programi do të ketë
formatin e "Portokallisë", por me
numra tërësisht të rinj për shikuesit
besnikë të këtij spektakli
humori. Agron Llaka dhe Amarda
Toska do të jetë dyshja që do të
drejtojnë edhe këtë natë programin.
Regjisori Altin Basha do të
sjellë sërish një ndërthurje mes
humorit, këngës e baletit, në
një shfaqje tërësisht televizive.
Numra që nuk janë parë më
parë, personazhe të reja dhe plot
surpriza të tjera do të shfaqen
për teleshikuesit. Programi është
konceptuar në 7 pjesë. "Në vazhdim
të traditës, këtë vit ndoshta
edhe më shumë në ekranin e ‘Top
Channel‘ do të vijë një program
special për publikun që na ka
ndjekur vazhdimisht. ‘Alo Mirmroma‘
është programi i parë
që do të sjellë shumë humor në
ndërrimin e viteve. Do të rreken
sërish probleme sociale e politike,
të cilat janë më të ndjeshme
edhe për vetë publikun. Personazhe
të spektaklit do të jenë
figura të njohura në Shqipëri,
të cilët, përmes satirës godasin
problematikën më të mprehtë
që shqiptarët i shoqëron gjatë
gjithë vitit", shprehet Adi Proko,
nëndrejtor i përgjithshëm i "Top
Channel". Por, për ata që kanë
zgjedhur të festojnë në tryezën
familjare, argëtimi nuk mbaron
këtu. Edhe data 1 janar e 2009-ës
rezervon një program të veçantë.
"Pjesa më e madhe e familjeve
tona festojnë në shtëpi e për këtë
arsye ne kemi menduar që programi
special i festave të vazhdojë
edhe në ditët e para të 2009-ës.
Kemi përzgjedhur formate që
garantojnë surpriza shumë të
këndshme, për t‘iu përshtatur
edhe atmosferës festive", thekson
Proko. Treshja e prezantuesve,
Adi Krasta, Arbana Osmani dhe
Xhemi Shehu do të jenë me ju
në një emision të titulluar "2009".
Nuk bëhet fjalë për emisionin "E
Diell", në të cilën jeni mësuar t‘i
shihni këto personazhe. Në një
sallë shumë të bukur, me pjesëmarrjen
e trupës së baletit të
"Top Channel", teleshikuesit do
të ftohen të ndjekin një spektakël
të ndërtuar me shumë klas. Sipas
nëndrejtorit të përgjithshëm të
"Top Channel", këtë herë nuk
kemi të bëjmë me humor, por me
një bisedë miqësore, gati familjare,
me të ftuar specialë. Muzikale
të realizuara posaçërisht nga trupa
e baletit, nën drejtimin e Ola
Brukos dhe Ezdalin Goranit, do të
sjellin një tjetër atmosferë. Festat
në ekranin e "Top Channel" do
të vazhdojnë edhe në datën 2
janar 2009. Këtë mbrëmje vjen
finalja e madhe e spektaklit "Ti
Vlen". Pas tri muajsh konkurrim,
kohë gjatë së cilës shumë njerëz
kanë shpërfaqur talentet e tyre,
ky spektakël do të kurorëzojë
fituesin e tij. Albana Osmani do
të drejtojë programin, i cili për
javë të tëra ka dhuruar emocione
njerëzish të thjeshtë, që
kanë guxuar të provojnë veten.
Mes tetë konkurrentëve, më i
miri prej tyre nuk do të mbajë
vetëm titullin e fituesit, por do
të shpërblehet me shumën e 20
mijë eurove. Për të gjithë ata që
nuk kanë mundur t‘i ndjekin
këto programe në orët përkatëse,
do të transmetohen të nesërmen
e shfaqjes së tyre. Ky program
special, i përgatitur posaçërisht
për festat, do të jetë përmbyllja
e një viti të tërë të mbushur plot
me risi dhe formate të veçanta
të prezantuara përmes ekranit të
"Top Channel". Njëkohësisht do
të jetë edhe një ogur për një vit
të ri të mbarë. "Në këto tri data,
televizioni ynë, si vazhdim i traditës
së përvitshme, vjen me shumë
sharm, shumë i fortë dhe shumë
i këndshëm. Materialet janë të
përzgjedhura mirë dhe shpresoj
që shikuesit tanë të festojnë me
ne", përfundon Proko.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›