E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbulohet drama në dorëshkrim e Mithat Frashërit

Mithat Frashëri ka
ende për të thënë.
Një dramë e panjohur
e tij është zbuluar
në dorëshkrim. Ruhej në një
fletore të vjetër në fondet e Arkivit
Qendror të Shtetit. Shkruar nga
Frashëri në vitet ‘30, "Foleja
kombëtare" prezantohet për herë
të parë te lexuesi shqiptar. Historiani
Luan Malltezi dhe studiuesi
Sherif Delvina kanë punuar për
përgatitjen e saj për botim. Me
parathënie të Ismail Kadaresë,
kjo dramë vjen për lexuesin nga
shtëpia botuese "Onufri". "Drama
‘Foleja kombëtare‘ gjendet
në një fletore të vjetër në fondet
që disponon Arkivi Qendror i
Shtetit për Mithat Frashërin;
ajo është e shkruar me dorë dhe
mban pseudonimin e njohur të
autorit, Lumo Skëndo", shprehen
Malltezi dhe Delvina, të cilët kanë
bërë të mundur që ajo të vijë si
një libër. Duket se shkrimtari,
pinjoll i familjes së Frashëllinjve,
ka qenë në mëdyshje për botimin
e saj. Ndërsa në parathënie, Kadare
thekson se "më tepër se një
dramë, është drafti i një drame,
një synim, një skicim, një ngrehë
paraprake për pjesë teatri, e lënë
në kantier, siç u ndodh shpesh
njerëzve të letrave. Në fund të
fundit, mund të merret si një
peng a qortim ndaj dramaturgjisë
së kursyer shqiptare, e cila gati
dy shekuj pas dramës së parë
shqipe, ende s‘ka qenë në gjendje
të japë një pjesë të madhe teatri,
nga ato që skenat e çdo vendi e
presin gjithmonë me padurim".
Personazhet e Mithat Frashërit
janë realë dhe pjesë e historisë
shqiptare. Janë ata që gjatë gjithë
këtij viti janë përfolur aq shumë
për kontributin e dhënë për
gjuhën shqipe. "Drama trajton
veprën e madhe patriotike të
Gjerasim dhe Sevasti Qiriazit për
çeljen e shkollës së parë shqipe
të vajzave në Korçë, më 23 tetor
1891. Në dramë marrin pjesë si
personazhe edhe rilindësit tanë
të mëdhenj, Naim Frashëri, Sami
Frashëri, Vaso Pasha, Jani Vreto",
shprehen përgatitësit për botim.
Drama nis në dhomën e pritjes,
në shtëpinë e Naim Frashërit.
Ai pret miq shqiptarë, ndërsa
shërbëtori i shtëpisë, Halili, mezi
pret të spiunojë diçka për t‘ia
thënë Sulltanit të tij. I pari që
vjen në skenë është Gjerasim
Qiriazi, një personazh rreth të
cilit do të vërtitet historia. Autori
tregon vendimin për të marrë nga
sulltan Abdyl Hamidi II dekretin
perandorak (iradenë) për çeljen
e shkollës së vajzave, përpjekjet
e Sevastisë për ta përhapur sa më
shumë gjuhën shqipe, por tregon
edhe kërcënimet nga regjimi i
egër osman për bastisjen dhe
mbylljen e shkollës. Ideali i Sevastisë
nuk i shkonte për mbarë
as klerit ortodoks; as despotëve
grekë, të cilët lëshonin mallkime
të frikshme ndaj prindërve, me
qëllim që të mos i dërgonin fëmijët
në këtë shkollë. Në aktin e
parë, Lumo Skëndo përshkruan
takimin e Naim Frashërit me Sevasti Qiriazin ditën e përfundimit
të shkollës në Kolegjin Amerikan
në Stamboll dhe e uron për vendimin
e saj të rëndësishëm për të
punuar si mësuese e shkollës së
parë shqipe të vajzave.
Përgatitësit për botim të
dramës konstatojnë nga "kujtimet"
e Sevasti Qiriazit se një
urim i tillë i ishte bërë vërtet
asaj nga Naim Frashëri ditën e
shënuar të mbarimit të shkollës.
"Kjo dhe dëshmi të tjera tregojnë
se autori Lumo Skëndo, ka dhënë
një vepër me fakte të mirëfillta
historike për përpjekjet e mëdha
që bënë Gjerasimi dhe Sevasti
Qiriazi për të mbajtur të çelur
me çdo kusht shkollën e parë
shqipe të vajzave", shprehen ata.
Pjesë e kësaj drame janë edhe
përfaqësuesit e çetave patriotike
të kohës, figura të shquara
të historisë sonë kombëtare, si
Mihal Grameno dhe Spiro Bellkameni,
që gjetën strehë në këtë
shkollë kur ndiqeshin nga forcat
osmane. Kjo ishte edhe arsyeja,
siç thotë në dramë Parashqevi
Qiriazi, që shkolla e vajzave në
Korçë u pagëzua nga patriotët
shqiptarë me emrin "Foleja
kombëtare". Botimi i kësaj drame
përkon edhe me vitin kushtuar
100-vjetorit të Kongresit të Manastirit.
Nxjerrja nga arkivat e
këtij dorëshkrimi vjen në një
kohë kur pikëpyetje të shumta
vihen mbi mitet shqiptare, si për
të kujtuar përpjekjet e mëdha
të shekujve më parë. Ndoshta
atëherë nuk do ishte menduar
se Historia Shqiptare nuk do t‘i
kishte larë deri në ditët e sotme
hesapet me personazhet e saj.

"Foleja kombëtare", fortesa ku përhapeshin shkëndijat kombëtare

Po nuk duhen harruar kurrë shërbimet
e mëdha që i ka sjellë çështjes "Foleja
kombëtare", e cila ishte një qendër
dhe një fortesë, ku mblidheshin edhe ku
përhapeshin ndjenjat e shkëndijat kombëtare.
Kjo "fole" ishte shkolla e vajzave
në Korçë, e themeluar prej Gjerasim D. Qiriazit,
emrin e të cilit, historia e Shqipërisë
do ta shkruajë me shkronja të arta, duke
u mburrur me veprat dhe me shërbimet
e tij të paçmuara që ka sjellë mbi altarin
e atdheut!
Mjerisht, vdekja e pamëshirshme e rrëmbeu
para kohe dhe kështu "Foleja kombëtare"
mund të mos i sillte pemët e pastajme
po të mos ish përkujdesur Gjerasim Qiriazi
të përgatiste dhe të linte trashigimtarë, të
cilët të gjurmonin edhe mbushnin programin
e qëllimin e tij kaq të lartë dhe kaq të
shenjtë!
Trashëgimtarët nuk ishin të tjerë, veçse
dy vajza, të cilat kishin lindur vetëm për
lumturinë dhe për nder të kombit shqiptar,
duke u mburrur me emrat e tyre përpara
botës së qytetëruar. Po; këto vajza ishin
zonjëzat Sevasti Qiriazi (sot zonja Dako)
dhe Parashqevi Qiriazi, motrat e të ndjerit
(Gjerasim), si dhe vëllai i tij, i ndjeri Gjergj
dhe Kristo Dako, të cilët vepronin në Manastir
për qëllim kombëtar.
Shërbimet e këtyre motrave janë kaq të
mëdha sa nuk jemi të zotë që t‘i tregojmë,
andaj ia lëmë historisë dhe ne do të tregojmë
vetëm kujtimet e bukura dhe të
paharruara pas lirisë të Turqisë.
Cili vallë nga korçarët nuk sjell ndër
mend ëmbëlsirat kombëtare të asaj kohë?
Cili nuk psherëtit edhe sot në kujtim të
atyre mbledhjeve që mbaheshin në "Folenë
kombëtare", ku shtohesh bashkimi,
vëllazëria, dashuria, dhe që përhapeshin
ndjenjat kombëtare?
Në "Folenë kombëtare" drejtuar prej
motrave patriote, Sevasti e Parashqevi dhe
patriotit të palodhur Grigor Cilka, mbaheshin
konferenca të premteve mbrëma, në të
cilat merrnin pjesë zonja, burra dhe djem,
duke dëgjuar konferencierët, të cilët me
oratorin‘ e tyre përhapnin arsimin, atdhetarizmën,
qytetërimin e forconin bashkimin,
vëllazërinë dhe shtonin dashurinë e zellin
për punë!
E premtja pritej me padurim të madh
nga gjindja dhe enkas vinin nga qarqet
për të marrë pjesë në mbledhjet e "Folesë
kombëtare", ku shijonin ato më të bukurat
e më të ëmblat kujtime kombëtare.
Pas konferencave ishin këngët kombëtare,
me të cilat entuziazmoheshin të gjithë,
se buçiste gjithë qyteti kur përdaheshin
djelmoshët e rinj duke kënduar.
Me të këtilla vepra, ndjenjat përhapeshin
e forcoheshin në lëvizjen kombëtare, e cila
dita-ditës përparonte me çape të mëdha,
për hir të atdheut e për vdekje të armikut.
Dhe në një kohë të shkurtër kaq shpirt
pllakosnin për të dëgjuar konferenca sa nuk
kish vend dhe për këtë qëllim u shtrënguan
që ta zmadhojnë "Folenë kombëtare".
Mjerisht nga nakari, zuri qeveria turke
ndjekjet kundër kombëtarëve dhe nga ana
tjatër plasja e Luftës Ballkanike shtrënguan
mbylljen e "Folesë kombëtare".
Për lumturi të atdheut prapë jeton kjo
"Fole kombëtare" në Korçë, nga e cila dolën
mësonjëse që sot po përhapin arsimin në
shumë vende të Shqipërisë; dhe trashëgimtarët
këtu në Amerikë, po mbushin detyrën
atdhesore gjer sa të kthehen prapë në
Shqipëri e të vazhdojnë qëllimin e shenjtë
që trashëguan brez pas brezi, se ky ishte qëllimi
për të cilat u përpoq Gjerasim Qiriazi
që themeloi "Folenë kombëtare".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›