Ministrat e Brendshëm të BE-së diskutojmë liberalizimin e vizave për Shqipërinë
Ministrat e Brendshëm europianë kanë diskutuar gjatë mesditës së djeshme mbi çështjen e liberalizimit të vizave me Shqipërinë dhe Bosnjën. “Mbi propozimin për kushtëzimin e vendimit për liberalizimin e vizave me Shqipërinë e Bosnjën që prezantova, patëm diskutime mjaft të mira dhe natyrisht që Këshilli do t’i kthehet kësaj çështjeje sapo ne t’i kemi dërguar grupet përfundimtare të ekspertëve e ta kemi përpiluar vlerësimin tonë pas verës”, - ka deklaruar Sesilia Mallmstrom, komisionere për Çështjet e Brendshme. Ndërsa Alfredo Perez Rubalcaba, ministër i Brendshëm i Spanjës, është shprehur: “Këtë mëngjes nuk dëgjova ndonjë rezervë politike. Të gjithë ishin pro liberalizimit, megjithëse disa vende anëtare u shprehën se shpresonin që këto dy shtete kishin kohë mjaftueshëm për të përmbushur kushtet. Komisionerja na raportoi për situatën. Presidenca e Komisioni ndajnë të njëjtin mendim, se Shqipëria e Bosnja kanë bërë përpjekje e kanë ende një copë rrugë për të bërë. Por ne shpresojmë se ato do t’i përmbushin të gjitha kushtet nga vjeshta, në mënyrë që të konkludohet kënaqshëm me liberalizimin e vizave në momentin e duhur”.
Ministrat e Brendshëm europianë duket se nuk kanë rënë dakord me propozimin e Sllovenisë, që vendimi për heqjen e vizave të kalojë në shtator në Këshillin e parë Europian, që është ai i ministrave të Bujqësisë. “Të gjithë janë për liberalizimin e vizave, por disa vende anëtare janë më mosbesuese sepse dyshojnë që këto dy vende kanë kohë të mjaftueshme për t’i përmbushur objektivat që u kemi vënë në afatin e përcaktuar. Ne u kemi kërkuar atyre që të bëjnë përpjekje të mëdha për përmbushjen e kritereve në vjeshtë, e Komisioni dhe ne, këtë çështje do ta vëzhgojmë nga afër”, - ka shtuar ministri Rubalcaba. Një prej vendeve kryesore skeptike për liberalizimin e shpejtë të vizave më Shqipërinë e Bosnjën është Belgjika, vendi që përcakton axhendën e BE-së pas datës 1 korrik, sepse merr presidencën e radhës për 6-mujorin e dytë të këtij viti.
4 Qershor 2010