Presidenti Nishani takim me ambasadorin e OSBE Volfart

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ka zhvilluar një takim me Kreun e Prezencës së OSBE-së në vendin tonë, Eugen Vollfart.
Ky është takimi i parë i Nishanit që kur mori detyrën e presidentit të vendit. Presidenti Nishani shprehu mirënjohjen e tij për kontributin e shkëlqyer që OSBE ka dhënë për Shqipërinë dhe institucionet e saj në procesin e tyre të reformimit dhe të zhvillimit demokratik.
Kreu i shtetit vlerësoi mbështetjen e OSBE-së dhe bashkëpunimin e ngushtë me ODIHR-in dhe ekspertët e tij në kuadër të reformës zgjedhore, e cila u përmbyll me sukses gjatë këtij muaji. Presidenti nënvizoi gjithashtu kontributin personal të Ambasadorit Volfart dhe vlerësoi rolin e tij për gjetjen e konsensusit politik, si në rastin e reformës së Kodit Elektoral dhe vijimin e punës për projektligjin për heqjen e imunitetit.
Presidenti Nishani shprehu bindjen se OSBE do të vazhdojë bashkëpunimin e saj me institucionet shqiptare për të forcuar shtetin e së drejtës dhe demokratizimin e mëtejshëm të institucioneve të vendit, brenda mandatit të Prezencës së saj në Shqipëri dhe garantoi gjithashtu bashkëpunimin e tij institucional në këtë drejtim.
Ambasadori Volfart vlerësoi zhvillimet e shpejta që Shqipëria ka bërë në fushën e reformave dhe demokratizimit të institucioneve dhe shprehu besimin se institucionet dhe politika shqiptare do të vazhdojnë në këtë rrugë edhe sa i përket projektligjit për heqjen e imunitetit, i cili do t’i shërbejë luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Presidenti Nishani vuri theksin në konsolidimin e sistemit gjyqësor si një sfidë vendimtare për vendin.
Kryetari i shtetit e siguroi Kreun e Prezencës së OSBE-së për bashkëpunimin e ngushtë të tij me të gjitha institucionet shtetërore, politike dhe shoqërinë civile në mënyrë të hapur dhe transparente për të dhënë kontributin e tij institucional në zhvillimin demokratik dhe funksionimin efikas të institucioneve demokratike.