E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis ndertimi i Ujesjellesit ne Njesine Bashkiake nr. 8

Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Jorida Tabaku ka parë sot nga afër, punën që po kryhet për instalimin e rrjetit të ri të ujësjellësit, në Njësinë Bashkiake numër 8. Ky investim, me vlerë rreth 51 milionë lekë, do të përfundojë në fund të muajit shtator dhe do të sigurojë ujë të pijshëm për rreth 7500 banorë.  Pas ujësjellësit në Kodër - Kamëz dhe në zonën e Kodrës së Priftit, ky është investimi i tretë i madh, që ka filluar në furnizimin me ujë të banorëve të qytetit të Tiranës. Zonja Tabaku tha se Bashkia i qëndron përgjejgësisë që ka marrë ndaj qytetarëve, për të garantuar furnizimin e tyre me ujë të pijshëm:
“Rreth 60 mijë qytetarë kanë përfituar nga investimi në Kodër – Kamëz dhe në Kodrën e Priftit, ndërkohë që sot, ky investim që Drejtoria e Ujësjellës – Kanalizimeve ka nisur, përfshin pothuajse 1200 familje. Investimi i cili ka një vlerë prej rreth 51 milionë lekësh, ka filluar në fillim të korrikut dhe do zgjasë rreth 3 muaj. Në përfundim, në fund të shtatorit, rreth 7500 banorë të kësaj zone, do të kenë sistemin e përmirësuar të ujësjellës-kanalizimeve, një investim i cili do të jetë krahas investimeve të tjera që po zhvillohen në qytetin e Tiranës. Puna këtu, është organizuar me faza. Në momentin kur përfundon blloku i parë, krahas sistemit të vjetër, do të fillojë funksionimi menjëherë i sistemit të ri dhe nuk do të ketë asnjë mangësi në shërbimin e furnizimit me ujë, por çka është më e mira, është se në fund të rrugës “Besa”, mbi 100 familje që nuk kanë pasur asnjëherë ujë të pijshëm në banesat e tyre, falë këtij investimi do u mundësohet edhe ky shërbim” – u shpreh Tabaku. 
Nënkryetarja e Bashkisë përmendi dhe investime të tjera që do të realizohen në Njësinë Bashkiake numër 8. 
“Në Njësinë nr.8, e cila ka qenë një njësi ndoshta e, Bashkia e Tiranës ka vendosur një theks të veçantë, me buxhetin e këtij viti.  Konkretisht, në këtë zonë do të ndërhyhet në rrugën “Pandi Stillo”, do i shtohet zonës një shkollë e mesme, në mënyrë që banorët e zonës të mos shkojnë në shkollat e mesme, në pjesë të tjera të qytetit. Me Delegacionin e Bashkimit Evropian, tek rruga “5 Maji” do të bëhet rikualifikimi urban i bllokut të banimit. Kjo do të përbëjë një vlerë të shtuar, për gjithë këtë investim që po shikojmë sot dhe për të cilin po kontrollojmë punët në terren. Pas përfundimit të sistemit të ujësjellës - kanalizimeve, në buxhetin e vitit që vjen, Bashkia e Tiranës, do të marrë masa për të rikualifikuar të gjithë Bllokun dhe për të shtruar rrugët e kësaj zone” – u shpreh znj. Tabaku.
 Drejtori i Ujësjellësit, Sahit Dollapi ka sqaruar se projekti është planifikuar në 5 faza, për të 5 blloqet, në mënyrë që të mos ndërpritet furnizimi me ujë i banorëve gjatë zëvendësimit të rrjetit të vjetër, me atë të ri. 
“Faza e parë është të fusim një bllok, në të cilin aktualisht po punojmë në rrjetin e ujit, të fusim në shërbim dhe të fillojmë me pjesët e tjera e gjatë gjithë kohës, ne t’u shërbejmë qytetarëve. Të gjithë ata qytetarë që kanë kontratë me Ujësjellësin, t'u shërbejmë përmes paisjeve të boteve dhe që janë të specializuar për këtë punë, t’i furnizojmë me ujë. Ka filluar edhe faza e projektimit të rrjetit të kanalizimeve dhe sistemimit të rrugëve, të cilat do i dorëzohen Bashkisë së Tiranës, me qëllim ndjekjen e procedurave për sistemimin dhe planifikimin në investimet e vitit që vjen. Përveç detyrave që ka Drejtoria e Ujësjellës-Kanalizimeve, do të kërkoja nga qytetarët mirëkuptimin e tyre, për të na ndihmuar në këtë situatë, duke mos shpërdoruar ujin dhe duke u paraqitur pranë zyrave të Ujësjellës -Kanalizimeve për lidhjen e kontratave, me qëllim që ky investim të jetë sa më efikas dhe të kryhet në një afat sa më të shpejtë”, vlerësoi Dollapi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›