E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Nishani takon Franko Fratinin Kontribut per integrimin

Presidenti i Republikës Bujar Nishani ka zhvilluar një takim me ish-ministrin e jashtëm Italian Franko Fratini. Gjatë këtij takimi është biseduar mbi zhvillimet pozitive që ka përjetuar Shqipëria gjatë viteve të fundit. Zoti Fratini njihet si një ndër mbështetësit kryesorë të integrimit të Shqipërinë në Bashkimin Europian. Ai ka luajtur një rol të rëndësishëm gjatë procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët shqiptarë, drejt vendeve të hapësirës Shengen në Bashkimin Europian.
“Kontributi juaj personal ka qenë një ndihmë e madhe për Shqipërinë dhe shqiptarët në kuadër të proceseve integruese në Bashkimin Europian. Jam dëshmitar i angazhimit tuaj të veçantë në këtë drejtim si Zv. President i Komisionit Europian dhe Komisioner për Çështjet e Sigurisë”-u shpreh presidenti Nishani.

Duke vlerësuar kontributin e Z. Frattini si një pikë referimi në historinë e përpjekjeve të Shqipërisë në rrugën e integrimit europian, Presidenti Nishani theksoi se pikërisht falë dashamirësisë, partneritetit, asistencës së vendeve mike dhe aleate të Shqipërisë dhe shqiptarëve, ku Italia zë një vend kryesor, u bë e mundur që Shqipëria të anëtarësohet në NATO dhe shqiptarët të lëvizin të lirë në zonën Shengen. Presidenti Nishani nënvizoi se rruga e vetme e Shqipërisë është integrimi në Bashkimin Europian.
“Objektivi ynë i afërt është marrja e statusit të vendit kandidat. Nuk e synojmë si medalje, jo si dhuratë, por si një mundësi për arritjen e standarteve të Bashkimit Europian të lirisë, demokracisë dhe zhvillimit. Statusi kandidat do të sjellë një përshpejtim të proceseve integruese të Shqipërisë dhe unë shpresoj shumë për arritjen e këtij objektivi edhe në fuqinë e zërit tuaj tashëm si koordinator i grupit parlamentar të Partive Popullore në Parlamentin Europian”-u shpreh Presidenti Nishani.

Nga ana e tij Franco Frattini, duke i uruar suksese Z. Nishani në detyrën e Presidentit të Republikës, solli në vëmendje vendosmërinë e tij në cilësinë e Ministrit të Brendshëm për të bindur autoritetet europiane se Shqipëria do të përmbushte të gjitha detyrat dhe kriteret e nevojshme për të siguruar lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë në zonën Shengen.

“Ju kishit të drejtë. Unë kisha të drejtë. Asnjë rrezik nuk i erdhi Bashkimit Europian nga lëvizja e lirë e qytetarëve shqiptarë. Asnjë valë personash që kërkon punësim, madje po ndodh e kundërta që shqiptarët po kthehen në Shqipëri për t’i shërbyer zhvillimit të saj”-tha Z. Frattini.

Duke vlerësuar vizionin e Presidentit Nishani se integrimi europian është rruga e vetme e Shqipërisë, Z. Frattini theksoi nevojën e kryerjes sa më shpejtë të reformës zgjedhore e asaj parlamentare, si dhe heqjen apo kufizimin e imunitetit të deputetëve dhe zyrtarëve të lartë, në mënyrë që në vjeshtë Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian.

“Unë do të jap kontributin tim në cilësinë e koordinatorit të Partive Popullore Europiane për një vendim pozitiv për statusin kandidat të Shqipërisë. Ky është angazhimi im dhe ju garantoj se është dhe angazhim i qeverisë italiane dhe i Presidentit Napolitano që do të vizitojë së shpejti Shqipërinë”-theksoi Fratini.

Gjatë takimit Nishani dhe Frattini diskutuan gjerësisht edhe për rolin e Shqipërisë për forcimin e sigurisë, paqes dhe stabilitetit në rajon, për nxitjen e investimeve italiane në Shqipëri, si dhe për përvojën e vyer të trupave shqiptare që ndodhen nën komandën italiane në kuadër të misionit të NATO-s në Afganistan.
Një ditë më parë, Bashkia e Tiranës i dha zotit Fratini titullin “Qytetar nderi i Tiranës”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›