E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD-PS arrijne konsensusin per reformen zgjedhore

Mazhoranca dhe opozita kanë arritur konsensusin për tre pikat e mbetura të reformës zgjedhore. Mësohet se palët kanë rënë dakord që përsa i përket riformatimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, do të ndodhë në fund të mandatit ligjor. Sipas marrëveshjes së arritur, kryetari i KQZ-së do të ketë një mandat 4-vjeçar, ndërkohë që anëtarët e tjerë do të kenë një mandat 6-vjeçar. Në Kodin aktual, në nenin 13 të tij, mbi të cilin po kryehen këto ndryshime, thuhet se anëtari i KQZ-së ka mandat 4-vjeçar me të drejtë rizgjedhjeje.

Gjithashtu, palët kanë arritur kompromis edhe mbi projektin pilot për verifikimin e kartave të identitetit të zgjedhësve. Ky projekt pilot do të shtrihet në Qarkun e Tiranës. Gjitahshtu, përfaqësuesit e shumicës dhe opozitës në komisionin e posaçëm të reformës zgjedhore kanë gjetur gjuhën e përbashkët edhe mbi verifikimin e materialeve zgjedhore. Kështu, sipas konsensusit të arritur, materialet zgjedhore do të mund të verifikohen, pasi dy anëtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve do të paraqesin një kërkesë zyrtare, për vijimin e procedurave të verifikimit.

Këto kanë qenë pikat e fundit, mbi të cilat përfaqësues të mazhorancës dhe opozitës po punonin për të arritur gjuhën e përbashkët. Mësohet se ndryshimet e kryera mbi ligjin zgjedhor do të paraqiten në seancën plenare të së enjtes, për t’iu nënshtruar procedurës së diskutimit dhe votimit. Data 12 korrik ishte dita e fundit e mandatit të komisionit të posaçëm paralamentar, i cili kishte për qëllim rishikimin e ligjit zgjedhor, në bazë të rekomandimeve të OSBE/ODIHR pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009 dhe atyre lokale të një viti më parë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›