Presidenti Obama bën një vizitë-surprizë në Afganistan

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama ka shkuar për një vizitë-surprizë në Afganistan, për të shënuar 1-vjetorin e vrasjes së udhëheqësit të Al kaidës Osama bin Laden.
Presidenti Obama pritet të nënshkruajë një marrëveshje strategjike partneriteti, e cila do të përcaktojë kushtet për praninë amerikane atje, pas afatit të vitit 2014 për tërheqjen e pjesës më të madhe të trupave luftarake të NATO-s.
Vizita-surprizë e presidentit do të arrijë kulmin me një fjalim drejtuar popullit amerikan të transmetuar drejtpërdrejt me televizion.
Kjo vizitë vjen edhe në kohën që marrëdhëniet mes dy vendeve duken të cenuara nga një sërë incidentesh të trupave ushtarake, duke nisur nga djegia e kopjeve të Kuranit pikërisht në bazën e Bagramit, dhe rritjes së ndjenjave antiamerikane në këtë vend.