E Diel, 1 Nëntor 2026

Qyteti që po vuan për shkak të Bin Ladenit

Çfarë ndodhi vërtetë atë mbrëmje, kur pjesëtarët e njësisë Navy Seals vranë udhëheqësin e Al Qaedës, Osama Bin Ladenin? Një vit më vonë, banorët e qytetit Abbottabad ende dyshojnë në versionin zyrtar të ngjarjes dhe dëshirojnë që kjo çështje të harrohet sa më shpejtë dhe të kthehet normaliteti.

Mund të mendohet se ishte ky rrëfimi i jetës së tyre, ngjarja që ndodhi në muajin maj të vitit të kaluar. Një rrëfim, si nga romanet kriminalistike: një njësi speciale e Navy Seal arrin fshehurazi në mes të natës me helikopterë, vret Osama Bin Ladenin, njeriun më të kërkuar në botë dhe zhduket menjëherë nga vendi i ngjarjes. Prapa mbesin anëtarët e familjes së udhëheqësit të terroristëve, e gjithashtu edhe helikopteri, i cili u rrëzua gjatë aksionit.

Në mes të qytetit të tyre! Një qyteti të përgjumur, i cili nuk tërheq vëmendjen e pothuajse askujt.

Madni Ihjaz Jadoon, redaktor lokal në Abbottabad, nuk ka shkruar asgjë për vdekjen e Bin Ladenit. Asnjë rresht të vetëm. Jadoon qëndron ulur në zyrën e tij, në redaksinë e gazetës Nada i Khalq, apo Zëri i Popullit. Populli në Abbottabad, së paku ashtu duket, nuk dëshiron të di asgjë për Bin Ladenin dhe shtëpinë. “Ne shpresojmë se do ta mbyllim së shpejti këtë kapitull”, thotë Jadoon.

Është ky një kapitull i pakëndshëm për qytetin, i cili që nga 2 maji i vitit 2011 u bë i njohur në gjithë botën, si vendstrehimi i fundit i Bin Ladenit. Qeveria, armata, e cila ka disa kazerma në Abbottabad, e gjithashtu edhe një akademi ushtarake, shërbimi i inteligjencës, të gjithë mbetën gojëhapur: të gjithë bashkëpunëtorë të shefit të terroristëve, apo si alternativë, që të gjithë të dështuar, shërbime që nuk kishin as idenë më të vogël se Bin Ladeni po jetonte në mesin e tyre.

“Por çfarë dimë me të vërtetë?”, pyet Jadoon. “Nuk na u lejua të hyjmë në shtëpi, nuk na u lejua madje as që t’i afrohemi asaj. Të gjitha informatat në të cilat mund të mbështetemi, janë ato që kanë ardhur nga Islamabadi dhe Washingtoni. Ne mendojmë se i dimë gjërat, por në të vërtetë nuk dimë asgjë”, thotë ai.

Jadoon e thotë atë, që e mendojnë shumica e gazetarëve në Pakistan. Pothuajse asnjë qytet në Pakistan nuk ka më shumë gazeta lokale se Abbottabadi, ekzistojnë 13 gazetaq ditore dhe dy javore. Që të gjitha i kushtuan shumë pak hapësirë temës së Bin Ladenit.

Dhe është e vërtetë, fakte që mund të mbështetën nuk ka pothuajse fare. Kufoma nuk i është treguar opinionit. Pjesa më e madhe e banorëve të qytetit besojnë se aty nuk është vrarë Bin Ladeni, askush nuk e ka parë atë në qytet para vrasjes.

Të pyetur për Bin Ladenin, banorët heshtin apo përmendin teori të konspiracionit. I gjithë aksioni ka qenë një inskenim, thotë një gazetar, i cili deshi të mbetet anonim, duke theksuar se kjo “dramë” është inskenuar nga amerikanët, me qëllim që të kenë mundësi të tërhiqen nga Afganistani, me justifikimin se Al Qaeda është mposhtur.

Sa më shumë që flet me njerëzit në Abbottabad, aq më shumë forcohet përshtypja: çështja e Bin Ladenit duket se është një plagë ende e hapur për banorët e këtij qyteti të bukur.

Për shkak të klimës së butë, gjatë periudhës së kolonializmit, Abbottabadi është shfrytëzuar si një qytet për të pushuar nga oficerët britanikë. Qyteti ka marrë emrin nga majori britanik, James Abbott, i cili në këtë qytet u vendos në shekullin e 19-të.

Sot qyteti ka rreth 1 milionë banorë, në mesin e tyre shumë oficerë të ushtrisë pakistaneze në pension. Qyteti jeton, apo më mirë të themi ka jetuar, nga turizmi.

Që nga vrasja e Bin Ladenit, turistët po mungojnë. Shtëpia e famshme e Bin Ladenit nuk ekziston më. Në fund të shkurtit, autoritetet dhanë urdhrin për shkatërrimin e saj.

Një gjë sot konsiderohet si pothuajse e sigurt: Bin Ladeni ka pasur bashkëpunëtorë, të cilët i kanë ndihmuar. Zyrtarët e inteligjencës në Pakistan janë të mendimit se ai është ndihmuar nga ushtarakët në pension.

Abbottabadi pritet që së paku edhe një herë të jetë në qendër të vëmendjes së opinionit botëror, më saktësisht pasi të publikohet raporti i Komisionit të Abbottabadit. Katër anëtarët e Komisionit, në mesin e tyre një ish-gjykatës dhe një ish-gjeneral, kanë marrë në pyetje politikanë, oficerë dhe pjesëtarë të shërbimit të inteligjencës.Raporti pritet të zbulojë të gjitha faktet, për kohën që ka kaluar Bin Ladeni në Abbottabad.

Por a është vërtetë Pakistani i interesuar për këtë? Raporti ishte paraparë të publikohej në fund të vitit të kaluar. Se kur do të publikohet mbetet ende e paqartë. (Der Spiegel)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›