Presidenti Topi ; “Në radhët tuaja ka persona të pandershëm”
Në zgjedhjen e 3 anëtarëve të Këshillit të Prokurorisë dje mori pjesë dhe numri një i vendit, Presidenti Bamir Topi. Në fjalët e tij, ai theksoi se gjëja primare e personave të drejtësisë është rritja e imazhit të organit të akuzës shqiptare. Presidenti Topi i mëshoi argumentit se prokurorët nuk janë politikanë. Ndër të tjera, ai u shpreh: “Ju jeni të profesionalizuar dhe duhet të ndaheni nga politika. Ju keni një mision shumë të rëndësishëm, qendra e të cilit është karriera profesionale, sepse të gjithë i kanë sytë tek drejtësia”. Ai shtoi gjithashtu se prokuroria shqiptare ka nevojë për reformim. “Puna e këtij Këshilli nuk është vetëm këshilluese. Prokurorët nuk duhet të mbyllen brenda çështjes që trajtojnë, por ata duhet që të konsultohen me njëri-tjetrin, dukë përmirësuar kështu cilësinë e organit të akuzës në vend”, tha ai. Numri një i vendit u bëri thirrje prokurorëve që të ndërgjegjësohen. Bashkangjitur kësaj ai u shpreh: “Ju duhet të hiqni njollën që ju rëndon. Ka persona në radhët tuaja që janë të pandershëm, por unë mendoj se pjesa tjetër që e duan drejtësinë dhe janë të ndershëm do ta luftojnë fenomenin abuziv në radhët e njerëzve të drejtësisë”. Gjithashtu, Topi vlerësoi punën e kryeprokurores Rama, në punën që po ushtron ajo në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Po kështu, Topi nënvizoi se për sa kohë do të jetë në pozicionin aktual, do të ndihmojë në zhvillimin e prokurorisë, si dhe për t’i vënë para ligjit në mënyrë të barabartë të gjithë autorët që kryejnë vepra penale.