E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shorti; Pas dorëheqjes së gruas së Azemit, rihidhet në short dosja e Hamdi Haklajt

Vetëm pak ditë pas refuzimit të gjykimit të dosjes së Hamdi Haklajt nga gjyqtarja Fatmira Hajdari, gruaja e Azem Hajdarit, rihidhet në short gjykimi i saj nga një tjetër gjyqtar. Pas hedhjes në short elektronik, dosja do të gjykohet në ditët në vazhdim nga gjyqtari Bujar Krasniqi. Hamdi Haklaj, i vetmi që ka mbetur gjallë nga djemtë e Muharrem Haklajt, një vit më parë u mor nën përgjegjësi penale për vrasjen e Halil Sali Hoxhës, vepër kjo e ndodhur në shkurt të vitit 1998. Dosja për vrasjen e Hoxhës u rihap pas nëntë vitesh, pasi ishte pezulluar për mungesë provash dhe autorësh që nga koha kur kishte ndodhur. Për rreth një vit, organi i akuzës i qytetit verior kreu hetime në mungesë të Haklajt, i cili prej më tepër se një viti ndodhet në Suedi, ku pak kohë më parë siguroi edhe azilin politik. Burime të hetimit pohojnë se dosja në ngarkim të 70-vjeçarit Haklaj, përmban dëshmi, prova shkresore dhe shkencore dhe akte të ndryshme ekspertimi. Ndërkohë në Gjykatën e Tiranës, një tjetër dosje, e transferuar nga Tropoja në ngarkim të Haklajt, ka mbetur pezull prej një viti, pasi organi i akuzës nuk paraqitet në proces, ndërsa i akuzuari ka fituar strehimin politik në Suedi. Burime nga procesi pohojnë se organi i akuzës pretendon ta dërgojë dosjen për shqyrtim në Gjykatën Penale të Shkallës së Parë të Faktit të qytetit Gothenburg të Suedisë, ku ndodhet aktualisht i pandehuri. Hamdi Haklaj, i lindur në Babinë të Tropojës më 15 mars 1938, është arrestuar më 13 mars të vitit të kaluar në qytetin Gothenburg të Suedisë, pasi sipas autoriteteve policore shqiptare ishte një nga 10 personat më të kërkuar nga Interpol Tirana.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›