Dorëzohet dosja, sot të arrestuarit e “Matrix 4” para gjykatës
Prokuroria do të kërkojë masën e sigurisë “arrest me burg”
Akuzohen për vjedhjen e 2 milionë eurove
Prokuroria e Tiranës dërgoi dje në Gjykatën e Shkallës së Parë kërkesat për masat e sigurisë për 17 personat e arrestuar gjatë operacionit "Matrix 4", të cilët akuzohen për vjedhjen e rreth 2 milionë eurove nga llogari të ndryshme bankare. Burime pranë kësaj prokurorie bënë të ditur se akuza ka kërkuar masat e arrestit me burg për të pandehurit e këtij operacioni deri në përfundim të hetimeve ndaj tyre. Seanca për masat e sigurisë ndaj të arrestuarve të operacionit “Matrix 4” do të zhvillohet sot në Gjykatën e Shkallës së Parë në Tiranë, e cila do të japë edhe verdiktin e saj. Ndërkohë që edhe dje, grupi hetimor mësohet se ka vijuar me shqyrtimin e provave dhe informacioneve te siguruara për këtë çështje si dhe me marrjen në pyetje të të dyshuarve që janë izoluar në paraburgimin e Tiranës. Grupi hetimor po punon për sqarimin e shkallës së përfshirjes të tyre në vjedhjen e llogarive bankare përmes transaksioneve financiare të realizuara nëpërmjet klonimit të kartave të kreditit VIZA dhe MASTERCARD me informacionet e personalizuara të personave të tretë. Por, nuk përjashtohet edhe mundësia e përfshirjes së personave të tjerë në këtë vjedhje te panjohur më parë. Operacioni "Matrix 4", i organizuar nga Policia e Shtetit ne bashkëpunim me Prokurorinë u finalizua të enjten me arrestimin e 17 personave, pjesa më e madhe e të cilëve studentë, që vepronin në formën e një grupi të strukturuar kriminal për vjedhjen e bankave të ndryshme. Të paktën deri tani numërohen 400 raste, nga të cilat 272 në Tiranë dhe 128 në qytetet Durrës, Fier, Vlorë, Kavajë etj., ku vidheshin llogaritë bankare të shtetasve të huaj, rezidentë në shtete perëndimore. Ndërkohë që shuma e vjedhur llogaritet në rreth 2 milionë euro. Gjatë këtij operacioni u arrestuan shtetasit Endrit Gjergjani (Laro), 19 vjeç, Anil Gjergjani, 47 vjeç, Kreshnik Luka, 23 vjeç, Ledjo Doko, 19 vjeç, Enea Çela, 18 vjeç, Endri Mezuraj, 19 vjeç, Besford Puka, 27 vjeç, Seid Mollaj, 23 vjeç, Fatmir Borshi, 20 vjeç, Rei Karapici, 19 vjeç, Redi Çekani, 19 vjeç, Blerim Abazi, 24 vjeç, Flamur Gashi, 28 vjeç, Indrit Abazi, 23 vjeç, Alban Bari, 27 vjeç, Klodian Terolli, 20 vjeç, Fatmir Kolmarku, 32 vjeç. Ndaj tyre janë ngritur akuzat “vjedhje e bankave dhe arkave të kursimit”, “sigurim të mjeteve për vjedhje” dhe “falsifikim të letrave me vlerë”, të kryera këto në bashkëpunim. Me cilësinë e provës materiale atyre iu sekuestruan pajisje elektronike për klonimin e kartave me shirit magnetik, një sasi kartash me shirit magnetik të mbushura, 1 kompjuter laptop dhe 6 kompjutera të zakonshëm, dokumente bankare për pajisje me karta krediti, certifikata të ndryshme, 5 automjete si dhe disa doza lëndësh narkotike, hashash dhe heroinë.