E Shtunë, 31 Tetor 2026

Retro/Press: Eduard Benes

Eduard Bense-i, nji ndër figurat ma të shkëlqyeshme të kohës s’onë, bashkëpunëtori ma të afërm e besniku ma i ngusht i të Ndyerit Masaryk, leu më 28 Maj 1884 në Kozlany afer Kralovice, në Boheminë Perndimore. Djali i mbram i nji familjes katundare, i vogël, i thatë, por i qëndrueshëm e energjik, studjoi me vullnet të pathyeshem në shkollën e parë të fshatit të tij deri në 1896, kur shkoi në Pragë për të ndjekun mësimet në nji shkollë reale. Nder gjashtë vjetët që studjoi në licen e Pragës, u nda në shej për mirë sjellje dhe inteligjencë. Gjatë pushimeve tanë kohën e mundonte me studio mbi socializmin e kurrentet e ndryshme shoqnore, mbi partitë politike e mbi të gjitha çashtjet e kohës, dhe mbi filozofi.

Asgja nuk i shpëtonte mendjes së tij të mprehtë që mbrenda pak kohe mundi me grumbullue njohuni të jashtëzakonshme për moshen që kishte.

Në pikëpamje fetare ai ishte, si ç’e pohon edhe vetë, racionalist e antiklerikal: religjoni i dukej si nji gja e vjeterueme. Ne filozofi bashkohej me materializem e pozitivizem. Opinionet politike të tija t’asaj kohe anojshin kahë socjalizm marsist.

Në vjetin 1904 u shkrue në fakultetin e letratyrës dhe gjatë kësajë kohë filloj të përkëthejë romacin e E. Zola-s “L’Assommoir”, sepse ai n’E. Zola-n shihjte shkrimtarin e vertetë naturalist, revolucionar, romacjer i popullit të vogël.

Në ketë kohë studjoi filologji e filozofi. Filologjia i interesonte, sepse i çelte shtegun për pamjet e ndryshme të kulturës: e në filozofi tue i ndejë larg të vet-thanunes filozofi e vërtetë që merret me enighmat praallore të Qenjes u muer me filozofi praktike, që nën kujdesin e Masaryk-ut, i ndihmonte për zgjidhjen e problemeve individuale e publike.

Mardhanjet e parreshtuna të kësaj kohe me Pr Masaryk kanë nji randësi të madhe psikologjike për jetën e ma pastajshme t’Eduart Benesit.

Që në lice, kish ndigjue tue folun për mësimet e personin e Masaryk-ut.

Në botimin e tij të mavonshëm: “Influenca e Masaryk-ut mbi breznin e re” (1910) analizon gjanë e gjatë personalitetin e Msuesit të tij. “Mënyra e tij e të mësuemit, shkruen mënia kundra çdo dogme, dëshira për të na bamë ne me mendue, na u impozonte”.

Eduard Benes-i ka pasun kurdohere nji karakter të qëndrueshem por jo krenar. Në çdo veprim të tijin del në shesh vullneti dhe impersonaliteti. Edhe ma vonë kur do të gjindet para problemit të luftës e të revolucjonit, kur ai të caktojë si qëllim “me bamë revolucjonin”, ka për të dijt m’e bamë në nji mënyrë t’admirueshme.

Mbasi t’ia arrij qëllimi do të fillojë të përpiqet për nji problem të ri me e forcue Shtetin e ri, dhe me gjith fuqit e tija do të përpiqet për realizimin e këtij qëllimi.

Por nuk dishron që të ndiqet verbërisht, don që para vetes të ketë individualitete.

Në qoftë se Benes-i u ba “Masaryki-an”, muejti me mbajtë të zgjuet gjithmonë shpirtin kritik të tij. Dëshmitarët e lëvizjeve të para -luftës, në komitetin eksekutiv të partisë realiste, i kritikojnë edhe sot grindjet e pikëpamjeve që qenë zhvillue atë kohë në gjirin e partisë.

Në 1905, mbasi mbaroi vitin e parë t’universitetit u nis për në Paris me vazhdue mësimet në Sorbonne, ku vazhdoj me jetue gjithnji në vorfëni.

Këtu pati rast m’u venue në përpjekje me çashtjet ruse të cilat, nji vjetë mbas revolucionit të 1905, paten tërhjekë vrejtjen e përgjithësme, dhe sidomos këto paten interesue Benes-in, patriot i flakët.

Pak kohë mbas arritjes së tij në Paris, Benes-i pat dashtë m’u shkrue ndër Sokol të Parisit, por nuk qe pranue me që ishte social demokrat. Benes, kishte ardhun në Paris për të sudjue, dhe i a duel me zelle të madh, por me gjithkte gjith kujdesin e tij ia kishte kushtue çashtjes çekoslovake, si ç’e provojnë edhe artikujt e shumët botue në fletore të ndryshme çekoslovake e të hueja. Në tetorin e 1907 shkoj në Berlin ku ndej nji vjet. Edhe këtu u vue në përpjekje për të njohtë lëvizjet e mdhaja shoqnore e politike, dhe këtu i dha fund studimeve të tija.

Në shtatorin e 1908 u këthye në Pragë dhe këtu fillon aktiviteti i tij i madh. Vllau ma i madh i tij, Vojtja Benes, kishte themelue nji bibliotekë (Polabaska knihonva) për të propagandue idetë politike e shoqnore. Gjashtë volume, ndër shtatë, të kësaj biblioteke janë shkrue nga dora e Benseit dhe studjon evolucjonin, doktrinën dhe historin e lëvizjes së klasave punëtore.

Në 1911 bani dhe nji udhëtim tjetër studimesh në Francë e n’Angli, fyrti i të cilit asht vepra: “Studime mbi partitë Politike”.

Në vitin e 1912, qe emnue në fakultetin e letraturës në Pragë dhe gjer ne 1915 aktiviteti i ti si shkrimtarë, socjolog e politikan arrinë kulmin dhe këto përpjekje vyejten për të pregatitë fushaten për fitimin e indipendencës politike çekoslovake. Në këtë kohë fillon të bajë pjesë integrale në partin e profesorit Masaryk, tue u largue nga Socjal demorkacia, dhe së bashku me këtë fillojnë luften revolucionare. Mbas nisjes së Masaryk-ut bahet shpirti i organizates revolucionare “Maffia”.

Me 1 Shtatuer 1915 ikën nga Çekoslovakia për tu bashkue në Gjenevë me Masaryk-un e bahet nji ndër bashkëpunëtorët e besnikët e tij ma t’aferm.

Në Paris vendoset si sekretar i përgjithëshëm i Këshillit Kombëtar që themeloj së bashku me Masaryk-un e Duryh-un, qender e revolucionit çekoslovak për jashta. Me këtë cilësi organizon propaganden në shtyp e në të gjitha fushatat e tjera. Që nga 1917 emnohet redactor i rivistës “Kombi Çek” në vënd të Denis-it. Në këtë kohë boton librin “Renoni Austor Hungarinë” dhe meret me organizimin e mardhanjeve me revolucionaret e Boshemisë, me t’emigruemt politik, me kolonitë çekoslovake përjashta; hynë në përpjekje me gazetarë, me shkenctarë, me zyrtarë të naltë, oficera e diplomat.

Me Ententen fillon negociata për njohtjen e armates çekoslovake dhe të Këshillit Kombëtarë si qeveri “de facto”, ky këshillë në Tetorin e 1918 shndrohet në nji qeveri të përkohëshme.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›