E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi dekoron me Urdhrin “Nderi i Kombit”, artistin e madh Sandër Prosi.

24 mars 2010

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi nderoi sot me Urdhrin “Nderi i Kombit”, artistin e madh të skenës dhe të kinematografisë shqiptare, aktorin e pakrahasueshëm Sandër Prosi (pas vdekjes), me motivacionin: “Si personalitet i shquar i skenës dhe i ekranit me kontribute të çmuara në krijimin dhe konsolidimin e mëtejshëm të artit teatral dhe kinematografik shqiptar.”

Në një ceremoni zyrtare të organizuar në mjediset e Institucionit të Presidencës, pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe leximit të dekretit të dekorimit nga Sekretari i Përgjithshëm, zoti Aleksandër Flloko, Kryetari i Shtetit i dorëzoi zotit Aristidh Prosi, të birit të të ndjerit, Urdhrin e lartë dhe dekretin përkatës në shenjë vlerësimi. Në fjalën e tij me këtë rast, Presidenti i Republikës u shpreh:

Të dashur familjarë të aktorit të madh Sandër Prosi,
I dashur miku im i vjetër, shok i fëmijërisë, Aristidh,
Të nderuar pjesëmarrës,
Zonja dhe zotërinj!

Njerëzit e mëdhenj si Sandër Prosi janë shenjtorët laikë të kohës sonë! Secili prej nesh duke ardhur në këtë sallë, në vetvete do të ketë menduar se nuk jemi ne që po nderojmë Sandër Prosin, por është pikërisht ai që na nderon ne me veprën dhe sidomos me profilin e tij njerëzor.

Ai ishte një artist i fjalës. Një nga më të mëdhenjtë e fjalës shqipe. Fjala për të nuk kishte sekrete, ai ishte i pushtetshëm ndaj saj pikërisht në kohën kur fjala dhe liria e saj kishin marrëdhënien më tragjike në këtë vend. Sandër Prosi ishte një nga kolonat e artit të shtatë në Shqipëri.

Ka patur sprova të hershme teatrore në Shqipëri, por teatri i mirëfilltë dhe kinemaja lindi me plejadën e aktorëve dhe regjisorëve të mëdhenj në vitet 40-50 të shekullit të XX-të ku shkëlqeu me talentin e tij edhe Sandër Prosi. Të parët, themeluesit, kanë një karakteristikë që i bën ata pjesë të asaj historie që shndërrohet në pikë referimit për brezat, ata kishin talentin e madh, talent si ai i Sandër Prosit.
Tek të tillë njerëz ekziston një shkrirje e trefishtë e aktorit me historinë, personazhin dhe fjalën. Aktori realizohet duke dhënë, duke u tjetërsuar në personazhin që luan, por ai s’mund të luajë kurrë siç luante Sandër Prosi pa qenë një personalitet i fuqishëm. Aktori shkrihet më fjalën dhe ky është jo vetëm profesioni, por ndoshta edhe misteri i aktorëve të mëdhenj të sërës së tij.

Talenti nuk qëndron thjesht tek tingulli i dhënë apo i përpunuar, por pikësëpari tek ajo lidhje shpirtërore me fjalën, një lidhje shumë e lartë për të mos thënë hyjnore.
Sandër Prosi ishte një metaforë e ndritshme e enigmave të veta e siç ka thënë Vitorio Gazman “Aktori i vërtetë nuk mundet e nuk duhet t’i shmanget detyrës për të qenë mishërim i të gjitha pasioneve, i të gjitha frikave, i të gjitha dobësive të natyrës njerëzore”. Jam i bindur, sikurse dhe ju se i tillë ishte dhe Sandër Prosi.”

Me interpretimin e tij ai krijonte një jetë të dytë, fjalëve u jepte ngjyra, interpretimet e tij ishin thellësi shpirti dhe mendjeje, copa jete e lartësi fantazie, një nxitje e madhe për mendimin tonë, për raportin tonë me të bukurën, me artin, me vetë lirinë.

Në adoloshencën time apo vitet e shkollës, pak portrete fizike më kanë tërhequr vëmendjen, aq sa ai i Sandër Prosit. Ai ishte i saktë, i vërtetë, i mençur, shqiptar deri në palcë, në jetë dhe në art.

A nuk është i tillë Otelloja, që ai interpretoi me aq mjeshtëri ku duket qartë nderimi për besën dhe përçmimi për pabesinë?

Lartësia e interpretimit bashkohej me vlerat e personazhit dhe padyshim me vlerat morale të aktorit.

Të dashur miq,

Duke parë sot, Dhaskal Todrin e Sandër Prosit, fëmijët tanë dhe brezat e mëvonshëm do të mësojnë sa u jep një libër historie po aq, e ndoshta më shumë e më ndjeshëm, për atë figurë të arsimit kombëtar, për rrugën e mundimshme të këtij populli për identitet e prosperitet.

Madhështor ishte Marçelo Mastrojani, por kurrësesi nuk erdhi me standardin dhe lojën mjeshtërore të Sandër Prosit tek “Gjeneralin e Ushtrisë së Vdekur” .

Nuk mund t’i shmangem tundimit pa komentuar në mënyrë të veçantë filmin “Nëntori i dytë”. Në kujtesën tonë Burri i Pavarësisë është skalitur nëpërmjet interpretimit të Sandër Prosit, një imazh që kurrë nuk mund të tjetërsohet e ndoshta as të tejkalohet. Ashtu siç e kemi të vështirë të ndërrojmë perceptim për Skënderbeun, pavarësisht nga gravurat që shohim, sepse të gjithë kemi në zemër bustin e Odise Paskalit, po ashtu Ismail Qemali për ne, është ai i “Nëntorit të dytë”. Ndikime të tilla i shkakton vetëm arti i madh.

Të nderuar famijarë të Sandër Prosit dhe artistë të pranishëm,

Modeli që Sandër Prosi na la jo vetëm ne, që patëm fatin ta njihnim për së gjalli, por edhe atyre që e njohin e do ta njohin vetëm nga filmat që shohin, është mundësi për kuptuar se “inteligjenca, pasioni, dashuria për të bukurën rezultojnë si objekti më i lartë i vlerësimit për kultin modern të njerëzve të mëdhenj, por do të shtoja që ky vlerësim, do të ishte i mangët nëse nuk marrim në konsideratë edhe fisnikërinë e karakterit që ishte shenja dhe gjurma dalluese e të madhit Sandër Prosit në rrugëtimin e tij artistik dhe human.

I përjetshëm qoftë kujtimi i të madhit Sandër Prosi!

* * *

Në ceremoninë e dekorimit të aktorit të madh, në nder dhe në respekt të tij, ishin të pranishëm aktorë, regjizorë, kineastë dhe personalitete të larta të artit shqiptar. Në emër të tyre përshëndeti djali i aktorit Sandër Prosi: “Ju falenderoj për fjalët vërtet shumë prekëse, të thella të thëna në adresë të babait tonë! Ju falenderoj shumë edhe për dekorimin që ju e bëtë sot në 25-vjetorin e vdekjes së tij! Dua të falenderoj shumë edhe kolegët bashkëpunëtorë të krijimtarisë artistike, një pjesë e mirë e të cilëve është në këtë sallë. Së fundi do të falenderoja me shumë respekt dhe do të shprehja një mirënjohje të thellë për dy persona që unë mendoj se kanë një vend shumë të rëndësishëm dhe të pazëvendësueshëm në jetën e tij qoftë private, qoftë artistike. Kam parasysh bashkëshorten e tij, zonjën Filomena dhe mikun artistë të tij, operatorin, regjisorin e famshëm Viktor Gjika.”

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›