Presidenti Topi dekreton shpalljen e dy ligjeve të rëndësishme
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, dekretoi ditën e djeshme dhe shpalljen e dy ligjeve të rëndësishme, të miratuara së fundi nga Kuvendi i Shqipërisë. Sipas informacionit për shtyp nga Presidenca, kreu i shtetit dekretoi disa shtesa dhe ndryshime në Marrëveshjen e koncesionit të formës BOT për ndërtimin dhe shfrytëzimin e pontilit të naftës, gazit e nënprodukteve të tyre në zonën bregdetare të Porto-Romanos, Durrës, si dhe shpalljen e ligjit Për administratën detare të Republikës së Shqipërisë.
Ndryshimet e miratuara në marrëveshjen koncensionare synojnë nisjen e procedurave për shpalljen port të ndërtimit të kryer në Porto-Romano dhe kategorizimin e tij Port i hapur ndërkombëtar. Ndërsa ligji i dytë, i shpallur dje nga Presidenti, parashikon veprimtarinë e administratës detare në vend, e cila bazohet në legjislacionin në fuqi si dhe në marrëveshjet e konventat ndërkombëtare. Zyra e shtypit e Presidencës bëri të ditur se Presidenti Topi dekretoi gjithashtu edhe një ndryshim në ligjin Për kontabilitetin dhe pasqyrat financiare.