Olldashi: Edi Rama, takime me falangat e krimit
Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi akuzoi kryetarin e Partisë Socialiste Edi Ramën si person me lidhje kriminale, të cilat kërkon ti përdorë në fushatë. Pretendimet e Olldashit u shprehën në takimet që ai pati në komunat Greshnicë, Fratar dhe Kutë të Mallakastrës dhe Ballshit. Edi Rama, modeli që kemi përballë është e kundërta e atij që vjen tek ju. Thotë se do të luftoj krimin ndërkohë që kryen takime të përnatshme me të gjithë falangat e mbetura të krimit, me qëllim për ti mobilizuar ato në fushatën elektorale, u shpreh ai.
Gjithashtu, Olldashi u shpreh i vendosur se askush nuk do ta lejojë Edi Ramën të përdorë kriminelë në fushatën elektorale, sepse edhe nëse ndonjë i tillë ka mbetur rrugëve, ai do të shkojë atje ku ka vendin. Gjatë takimeve të tij, ministri Olldashi ka bërë një krahasim ndërmjet investimeve të kryera nga kjo mazhorancë që është sot në pushtet dhe qeverisjes socialiste. Socialistët gjatë qeverisje së tyre, kanë ndërtuar gjithsej 80 apartamente për të pastrehët. Ne në 3 vjet e gjysmë kemi arritur në 7 mijë apartamente, theksoi Olldashi. Ndër të tjera, edhe arsimi ka qenë pjesë e krahasimit të tij, mes qeverisjes socialiste, ku përmend se janë bërë aq shkolla sa mund të numërohen me gishtat e duarve. Ne në 3 vjet e gjysmë kemi ndërtuar apo rikonstruktuar 1012, ose një shkollë në çdo ditë të mandatit tonë, ka përfunduar Olldashi.