Amarante-Topit: Mbështetje dhe inkurajim për njerëzit e drejtësisë
Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Italisë, Françesko Amirante deklaroi se njerëzit e drejtësisë kanë gjithmonë nevojë për më tepër inkurajim dhe mbështetje në vendosjen përfundimtare të shtetit ligjor dhe sigurimin e pavarësisë së plotë të tij. Në këtë drejtim Amirante ka garantuar përkrahje e mbështetje maksimale në forcimin e sistemit të drejtësisë shqiptare. Në këtë kuadër, janë shumë të vyera vizitat e ndërsjellta mes drejtueseve të institucioneve homologe të drejtësisë si dhe shkëmbimi dhe ndarja e vazhdueshme e përvojës pozitive, vijoi ai. Deklarata e tij ka ardhur pas takimit, që kreu i Kushtetueses italiane ka zhvilluar me presidentin Topi në ambientet e Pallatit të Brigadave në Tiranë.
Në takim, presidenti Topi veçoi rëndësinë që ka pavarësia dhe paanshmëria e pushtetit gjyqësor. Sipas tij, në kuadër të përmbushjes së aspiratës së integrimit të Shqipërisë në familjen europiane, zbatimi rigoroz i Kushtetutës dhe ligjeve nga institucionet gjyqësore në vend është një detyrim përparësor. Sipas tij shteti dhe institucionet shqiptare janë të angazhuara maksimalisht në këtë drejtim, në mënyrë që të rrisin besimin tek shqiptarët në sistemin e drejtësisë. Gjatë fjalës së tij, kreu i shtetit pasi përshkroi reformat e ndërmarra në vend, si në gjyqësor, reformën zgjedhore, të miratuara me një konsensus të gjerë politik, vlerësoi ndihmesën dhe mbështetjen e vazhdueshme të shtetit fqinj, Italisë për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe përparimin drejt integrimit në gjirin e familjes së madhe evropiane. Ndër të tjera, Topi ka vlerësuar kontributin dhe përvojën e institucioneve gjyqësore italiane në reformimin dhe përmirësimin e drejtësisë shqiptare. Kreu i kushtetutës italiane, Amirante vlerësoi lart rolin dhe kontributin e presidentit Topi dhe punën e madhe të bërë nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë gjatë procesit të reformimit gjyqësor në vendin tonë dhe përparimet e shënuara jo vetëm në dhënien e drejtësisë, por edhe në rritjen e besimit në sistemin gjyqësor. Në takim ishte i pranishëm edhe Ambasadori i Italisë në vendin tonë, zoti Saba DElia si dhe Kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, Vladimir Kristo.