E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi takohet me Jezierski, Varshava premton mbështetjen për BE

Presidenti Topi, gjatë takimit të zhvilluar me presidentin e Dhomës Supreme të Kontrollit të Republikës së Polonisë dhe Kryetarin e Bordit Drejtues të EUROSAI-t, Jacek Jezierski, ka vënë në dukje nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve dypalëshe në të gjitha nivelet. Gjithashtu, kreu i shtetit shprehu mirënjohjen për ndihmën dhe mbështetjen e vazhdueshme që Polonia i ka dhënë Shqipërisë për anëtarësimin e saj me të drejta të plota në NATO, si dhe për të përmbushur aspiratën integruese në Bashkimin Europian. Presidenti Topi vuri në pah punën e Kontrollit të Lartë të Shtetit, që ka fituar fizionominë e një institucioni të pavarur, vlerësoi bashkëpunimin e frytshëm me institucionet homologe në përgjithësi, si dhe asaj polake, që drejtohet nga Jezierski, ç'ka ka influencuar në marrjen e përvojës dhe rritjen e standardeve të punës. Ndërsa nga ana e tij, presidenti i Dhomës Supreme të Kontrollit të Republikës së Polonisë, Jacek Jezierski, shprehu bindjen në zgjerimin e mëtejshëm të dialogut dhe bashkëpunimit më intensiv në të ardhmen mes dy vendeve, si dhe vlerësoi shumë pozitiv bashkëpunimin konkret të punës mes dy institucioneve të kontrollit financiar dhe marrëveshjen e bashkëpunimit, nënshkruar disa ditë më parë. Në takim ishin të pranishëm ambasadorja e Polonisë në vendin tonë, Irena Tatarzynska si dhe kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Robert Çeku.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›