E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Topi dekreton varrezat greke

Kreu i shtetit firmos marrëveshjen e debatuar mes politikës dhe historianëve

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka dekretuar marrëveshjen e firmosur një vit më parë nga qeveria greke dhe ajo shqiptare për ngritjen e varrezave për ushtarët grekë që kanë rënë në territorin shqiptar gjatë Luftës së Dytë Botërore. Siç bëhet e ditur në faqen e Presidencës, kreu i shtetit shqiptar firmosi shpalljen e ligjit nr. 10256, datë 25.03.2010 “Për ratifikimin e ‘Marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Greqisë për kërkimin, zhvarrimin, identifikimin dhe varrimin e ushtarakëve grekë, të rënë në Shqipëri gjatë luftës greko–italiane të viteve 1940–1941 dhe për ndërtimin e vendprehjes për ta brenda territorit të Republikës së Shqipërisë’”. Dekreti mban numrin 6500 dhe është firmosur dy ditë më parë, por është publikuar vetëm dje. Marrëveshja e varrezave të ushtarëve u miratua më 25 mars, ditën e festës zyrtare të Greqisë, nga Kuvendi me një numër të vogël votash. Për herë të parë pas mbledhjes së Parlamentit të dalë nga zgjedhjet e 28 qershorit është miratuar një ligj me një shumicë relative. Marrëveshja u miratua me 66 vota pro, 5 kundër dhe 1 abstenim. Deputetët që kanë votuar kundër ishin: Shpëtim Idrizi, Dashamir Tahiri, Lefter Koka, Bedri Hoxha dhe Adrian Kollozi, ndërsa ka abstenuar deputeti i PD-së, Lefter Maliqi. Menjëherë sapo ka hyrë për diskutim ky draft është zhvilluar një debat i ashpër, ku dy deputetët e Partisë për Drejtësi dhe Unitet kanë kërkuar shtyrjen e miratimit të marrëveshjes derisa Athina zyrtare të dënojë gjenocidin ndaj popullsisë çame në periudhën e Luftës së Dytë Botërore. Presidenti Topi ka dekretuar dje edhe disa ligje të tjera të miratuar nga Kuvendi së fundmi.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›