Policët xhepistë, prokuroria veçon hetimet për rekrutimin
Prokuroria e Tiranës ka veçuar hetimet për rekrutimin e punonjësve të policisë që u arrestuan nën akuzën e korrupsionit, pas bashkëpunimit të tyre me grupet e “xhepistëve”. “Duhet një kohë me e gjatë për të verifikuar mënyrën e rekrutimeve të punonjësve të Policisë së Shtetit, Preng Frroku, dhe Besnik Preni, të cilët bashkëpunonin me disa persona kontingjent krimi. Madje, kemi dokumentuar dy raste ku Frroku dhe Prini merrnin nga ‘xhepistët’ shuma në lekë. Nga hetimet për këtë rast kemi konstatuar se njëri prej tyre, pikërisht Besnik Preni në të kaluarën ka qenë një ‘xhepist’, me precedentë kriminalë”, thanë burimet nga akuza e kryeqytetit. Sipas tyre, pritet që në prokurori të paraqiten shefat e kuadrove në disa prej strukturave më të larta të policisë që merren me verifikimin e punonjësve të Policisë së Shtetit. Ndërkohë, hetimet për bashkëpunimin e Prenit dhe Frrokut me kontingjentin kriminal janë drejt fundit, pasi gjithçka është realizuar pas vëzhgimeve dhe përgjimeve, ndërsa pjesa e rekrutimeve, sipas burimeve nga prokuroria, do të jetë nën hetim. Deri tani, veç rastit të dokumentuar nga SHKB-ja, në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Tiranës, ku ata kërkonin nga një person me precedentë penalë nga 300 mijë lekë të vjetra çdo javë, ata po hetohen edhe veçmas për disa raste të goditjes së grupeve kriminale. Bëhet fjalë për operacionin “Hijet e natës”, për të cilin dyshohet se Besnik Preni jepte informacione të klasifikuara policore, me qëllim që të fshinin gjurmët për aktivitetin kriminal. Preng Frroku po hetohet për lidhjet e tij me një tjetër grup hajdutësh, por që merreshin me grabitjen e makinave. Duke punuar për dokumentimin e plotë të veprave penale të dy punonjësve të policisë, Preng Frroku dhe Besnik Preni, grupi hetimor ka zbuluar se ata nuk zhvatnin para vetëm nga hajdutët e Kombinatit, pasi nga ana tjetër kishin ndërtuar një grup edhe më të fortë. Sipas të dhënave, duke punuar për një kohë të gjatë me kontingjentin kriminal, kishin njohur shumë hajdutë, që më parë i kishin përdorur edhe si informatorë. Të gjithë hajdutët, të cilët vepronin dhe jetonin në zonën e Komisariatit Nr. 3 i kishin grupuar, duke bërë 14 veta bashkë, në formën e një ushtrie. Për këtë arsye, atyre u kishin premtuar siguri që mos të preken nga policia, por në këmbim u kërkonin të gjithëve bashkë nga 300 mijë lekë të vjetra në ditë.
#