E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasësi i tre vëllezërve kërkon mëshirë nga gjykata

Korçë Prokuroria kërkon burgim të përjetshëm për Besim Karajn

Vrau pa iu dridhur dora tre djem të së njëjtës familje, por dënimi me burgim të përjetshëm i duket i tepruar. Besim Karaj ka shpërthyer në lot dhe ka kërkuar mëshirë dje, kur prokurori i çështjes kërkoi nga gjykata dënimin maksimal me burgim të përjetshëm për vrasje të trefishtë dhe armëmbajtje pa leje.

Burri nga Thumana e Krujës, që jetonte në shtëpinë e gruas së tij në fshatin Vidohovë, nuk e ka përballuar kërkesën e prokurorisë për dënimin e tij me burg për jetë, duke u ngritur për të kërkuar mëshirë nga drejtësia për krimin, që, sipas tij, ka ndodhur në kushtet kur ishte kërcënuar nga një prej viktimave, pikërisht Taulant Mulliri, me të cilin bashkëshortja kishte një lidhje jashtëmartesore. Besim Karaj nuk është penduar për vrasjen e 26-vjeçarit, por ka pranuar më parë se është penduar për vrasjen e dy vëllezërve të tij dhe sidomos për djalin e vogël të familjes Mulliri. Kërkesa e organit të akuzës gjatë paraqitjes së konkluzioneve për dënimin me burgim të përjetshëm e ka nxjerrë të përlotur Besim Karajn, i cili akuzohet për vrasje në rrethana cilësuese të tre vëllezërve Taulant, Xhiljan dhe Edlevan Mulliri. Krahas kërkesës për dënim maksimal, prokurori i çështjes ka shtuar edhe 15 vjet të tjera për akuzën e armëmbajtjes pa leje. Në seancën që është zhvilluar me dyer të mbyllura prokurori përmendi edhe gjendjen emocionale të të pandehurit në momentin e krimit, duke marrë parasysh edhe faktin se vrasja është kryer për çështje morali, për shkak se një prej vëllezërve Mulliri ka pasur marrëdhënie intime me gruan e autorit, Tinën, të cilën burri e kishte falur edhe pse e kishte kapur në flagrancë. Besim Karaj, që është njohur me kërkesën e prokurorisë, ka kërkuar mëshirë, pasi ai ka pohuar gjatë hetimeve se krimin e rëndë e ka kryer nga provokimet e vëllezërve Mulliri gjatë ditës së ngjarjes. Karaj nuk ka paraqitur asnjë pretendim lidhur me akuzën, pasi i ka pranuar rrethanat në të cilat ka ndodhur ngjarja, por për faktin se nga ana e gjykatës pak ditë më parë u vendos gjykimi i shkurtuar, ai nuk e ka pritur kërkesën për dënimin maksimal që parashikon ligji, duke shfaqur shenja të një tronditjeje të thellë. Tashmë pritet që dënimi i tij të vendoset nga ana e trupit gjykues, i cili do të dëgjojë edhe konkluzionet që do të paraqesë pala mbrojtëse para se të marrë vendimin. Gjykimi i shkurtuar pritet që t’i ulë sipas ligjit një të tretën e dënimit, megjithatë kjo do të vendoset nga ana e trupit gjykues pas dy javësh, kur është lënë edhe seanca e radhës. Për shkak të zhvillimit të seancave me dyer të mbyllura, asnjë nga familjarët e viktimave nuk ka qenë i pranishëm.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›