Presidenti Topi nis vizitën në Maqedoni
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka nisur dje një vizitë treditore në Maqedoni, me ftesë zyrtare të homologut të tij, Gjorgje Ivanov, ku pritet të zhvillojë takime intensive në pjesën shqiptare të vendit fqinj. Siç theksohet në njoftimin për shtyp, “me ftesë të Presidentit maqedonas, Gjorgje Ivanov, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, së bashku me Zonjën e Parë, Teuta Topi, u nis për një vizitë zyrtare treditore në Republikën e Maqedonisë, në krye të një delegacioni shtetëror me anëtarë të qeverisë, përfaqësues të pushtetit vendor, të kabinetit të Presidentit, si dhe një grup sipërmarrësish të biznesit shqiptar”.
Kreu i shtetit shqiptar do të mikëpritet nga homologu i tij maqedonas, me të cilin do të zhvillojë një takim kokë më kokë, për t’u pasuar me takimin e dy delegacioneve respektive zyrtare, ku në qendër të bisedimeve mes dy presidentëve do të jenë thellimi i mëtejshëm i marrëdhënieve shumë të mira mes dy vendeve dhe popujve tanë dhe forcimi i bashkëpunimit dypalësh, me qëllim realizimin e synimeve të përbashkëta eurointegruese. Presidenti Topi së bashku me Presidentin Ivanov do të marrin pjesë dhe do të përshëndesin në Forumin Ekonomik të biznesit maqedonas-shqiptar që do të zhvillohet në Shkup, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të bizneseve të të dy vendeve, me synim zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimeve tregtare mes Shqipërisë dhe Maqedonisë, gjetjen e mundësive të reja për tërheqjen e investimeve reciproke, si dhe ato të huaja në kuadrin rajonal. Gjatë vizitës zyrtare në Maqedoni, kreu i shtetit shqiptar do të zhvillojë një sërë takimesh, si me Kryeministrin maqedonas, Nikola Gruevski, me Kryetarin e Parlamentit, Trajko Veljanoski, me Kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti, me Kryetarin e PDSH-së, Menduh Thaçi, me ish-presidentin Branko Cervenkovski, aktualisht kryetar i Partisë opozitare LSDM, me kryetarin e Partisë ‘Demokracia e Re’, Imer Selmani, me kryetarin e Komunës së Tetovës etj.
#