E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi fton investitorët italianë të rrisin praninë e tyre në Shqipëri.

13 shtator 2008

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, në krye të delegacionit shqiptar, mori pjesë sot në hapjen e edicionit të 72-të të “Fiera del Levante-s” në Bari të Italisë, me ftesë të Presidentit të këtij panairi, Kosimo Laçirinjola. Ky edicion i 72-të i panairit më të rëndësishëm mesdhetar ekonomiko-tregtar, motoja e të cilit këtë vit ishte “Kombet e Bashkuara të Biznesit” dhe që shërben si një urë lidhëse për shkëmbime tregtare dhe për tregje të reja, u hap nga Kryeministri italian Silvio Berluskoni.

Gjatë ceremonisë së hapjes së “Fiera del Levante-s”, Presidenti Topi u takua me Kryeministrin Berluskoni, i cili në fjalën e tij përshëndeti posaçërisht praninë e Kreu të shtetit shqiptar duke u shprehur se: “e konsiderojmë Shqipërinë si një treg të rëndësishëm për prodhimet tona”.

Gjithashtu Kreu i shtetit u takua dhe shkëmbeu mendime dhe ndau pikëpamjet edhe me Kryeministrin maqedonas, Nikolas Gruevski, me Presidentin e Provincës së Puljas, Vinçenco Divela, me Kryetarin e Bashkisë së Barit, Mikele Emiliano, me Presidentin e “Fiera del Levante-s” Kosimo Laçirinjola si dhe me mjaft personalitete, drejtues dhe përfaqësues të spikatur të biznesit italian dhe mesdhetar.

Pasi përuroi pavionin e titulluar në mënyrë mjaft kuptimplote “Mes Shqipërisë dhe Puljas”, Presidenti Topi pati një takim të veçantë me Presidentin e Rajonit të Puljas, Niki Ventola dhe autoritet e larta puljeze, gjatë të cilit u shprehu mirënjohjen për ndihmesën e vazhdueshme të Italisë, vlerësimin e lartë për marrëdhëniet e shkëlqyera tradicionale dhe historike mes dy popujve tanë. Në këtë takim Kreu i shtetit pasi vuri në pah arritjet dhe ndryshimet pozitive të Shqipërisë, nënvizoi nevojën për intensifikim të mëtejshëm të shkëmbimeve tregtare-ekonomike në fusha si energjitika, turizmi, bujqësia, etj., dhe rëndësinë e Korridorit të 8-të, duke vënë në pah kushtet dhe mundësitë shumë të mira që ofron vendi ynë me rritjen e tij ekonomike dhe sistemin e favorshëm fiskal për investime të huaja. Në këtë pikë, Presidenti Topi ftoi investitorët italianë të rrisin akoma edhe më tepër praninë e tyre në Shqipëri.

Nga ana e tij, Presidenti rajonal puljez Vendola theksoi ndryshimin e natyrës së marrëdhënieve mes dy vendeve dhe popujve nga ato fillestare të asistencës dhe dhënies së përvojës, në marrëdhënie të qarta partneriteti në fusha të ndryshme si ajo shëndetësore, të energjisë, të turizmit e bujqësisë, në shkëmbimet arsimore dhe kulturore dhe në modernizimin e infrastrukturës energjitike dhe portuale.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›