E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi inaguron hapjen e Panairit “Agrobiznes 2007”.

21 shtator 2007

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, inaguroi sot pasdite hapjen e Panairit “Agrobiznes 2007”, të organizuar në Qendrën Ndërkombëtare të Kulturës “Arbnori” nga Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar, nën kujdesin e Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit.

Kryetari i Shtetit përshëndeti të pranishmit në ceremoninë e rastit dhe të gjithë pjesëmarrësit në këtë panair:

“Është një moment i veçantë dhe mjaft emocionues, kur jemi të gjithë në një festë dhe padyshim, të gjithë fizikisht këtu, përfaqësues të politikës, përfaqësues të Ministrisë së Bujqësisë, profesionistë të nderuar, ata që i kanë dhënë tonin kësaj fushe kaq të rëndësishme për ekonominë shqiptare, por edhe juve përfaqësues të medias. Kjo tashmë është kthyer në një traditë, në një traditë mjaft të bukur dhe mund të konsiderohet si kurorëzimi apo festa e bujqësisë shqiptare. Unë pa diskutim, duke e marrë fjalën këtu, menjëherë memorien time e çova në vitet e para të tranzicionit, kur ne ishim pjesë e projekteve të importeve kritike, ishim pjesë e ndihmave që na vinin nga bota e huaj, nga vendet mike, nga projektet ndërkombëtare.

Vitet kanë kaluar dhe Shqipëria edhe në këtë fushë ka bërë një progres të padiskutueshëm. Prandaj jam këtu në radhë të parë për të uruar fermerët shqiptarë, ata që nëpërmjet një misioni kaq të vështirë dhe fisnik, jo vetëm arrijnë të ruajnë traditën, por e pasurojnë këtë traditë dhe praktikisht e sjellin në standardet e botës së përparuar. Tashmë agrobiznesi shqiptar, i cili ka patur një asistencë të padiskutueshme, qoftë nga Ministria e Bujqësisë, qoftë nga USAID-i, qoftë edhe nga partnerë të tjerë ndërkombëtarë, çdo ditë dhe përmirëson ndjeshëm cilësinë e punës së tij.

Për mua është një kënaqësi e veçantë gjithashtu që të vij sot në këtë panair, meqënëse kam qenë vazhdimisht frekuentues i tij, për të parë, jam i bindur për këtë, rritjen e cilësisë krahasuar edhe me një vit më parë. Ky është një mision, që duhet ta kuptojnë të gjithë, në radhë të parë duhet ta kuptojnë politikanët, që duhet të lenë pak më shumë hapësirë për bujqësinë dhe ushqimin nga koha e tyre e vyer, për të kursyer edhe energjitë për debatin politik e t’i kthehen drejtpërdrejt kësaj shtrese, e cila praktikisht qëndron jashtë vëmendjes së të gjithëve, punon çdo ditë në një profesion të vështirë, por edhe biznesmenëve të kësaj fushe, të cilët përmes një misioni po kaq të vështirë, por shumë fisnik dhe mjaft sfidues, kanë arritur realisht të nxjerrin produkte, që e ke të vështirë t’i krahasosh me produktet e importit.

Sot është momenti kur ne nuk vlerësojmë vetëm pamjen e produkteve, ne e dimë fare mirë që janë bërë përpjekje madhore për rritjen e cilësisë së ushqimit, por edhe të sigurisë ushqimore. Unë jam në dijeni të asaj lufte të madhe që bëhet për përmirësimin e ligjeve, për debatin profesional që bëhet edhe në Komisionin e Bujqësisë në Parlament, për gjithë atë punë të specialistëve të bujqësisë dhe sinqerisht ju përgëzoj të gjithëve, sepse të gjithë jeni kontribues në këtë linjë.

Unë do të dëshiroja me këtë rast të jap një mesazh falenderimi, por edhe atë ç’ka unë mendoj bashkë me kolegët për të ardhmen. Duhet të ketë një kombinim të detyrueshëm të politikës, të Ministrisë së Bujqësisë pa diskutim, të institucioneve shkencore, besoj edhe të gjitha organizmave që merren me biznesin në fushën e bujqësisë, për t’i dhënë prioritet të padiskutueshëm kësaj fushe, e cila realisht e ka mbajtur në mbijetesë popullin shqiptar në momente shumë të vështira ekonomike, ndërsa sot do t’i japë mundësinë që të rrisë cilësinë e jetës, por do t’i japë mundësi edhe të eksportojë.

Është një rast do të thoja shumë domethënës që këtu kemi një delegacion nga Kosova. Kemi z. Tom Hajdaraj, i cili ka qenë vazhdimisht në komunikim, qoftë me Ministrinë e Bujqësisë, qoftë me strukturat parlamentare. Ne e dimë që sot bota është bërë mjaft e gjerë, është botë e hapur, është botë globale dhe me këtë sens ne kemi mundësi të shohim Kosovën jo vetëm si një vend fqinj, mik, që më shumë se kurrë është afër marrjes së statusit të pavarësisë, por mbi të gjitha ta shohim në marrëdhënie të karakterit njerëzor, institucional, ekonomik, pse jo edhe në fushën e bujqësisë dhe të ushqimit. Kosova dhe Shqipëria janë shumë afër, ofrojnë klimë të ndryshme në momente të ndryshme të prodhimit bujqësor, kemi mundësi të shkëmbejmë prodhimet dhe të sigurojmë një harmonizim të plotë edhe të aktivitetit të agrobiznesit.

Edhe rruga që po ndërtohet është një mundësi më shumë që të afrojë njerëzit, të afrojë mundësitë për biznes dhe për të krijuar një treg të unifikuar për ta përballuar dhe sfidën e tregtimeve që sot, në botën globale, bëhen gjithmonë e më të vështira.

Z. Ministër,

Dëshiroj edhe një herë t’ju falenderoj për ftesën dhe të gjithëve së bashku t’ju uroj punë të mbarë dhe suksese të reja në të ardhmen!”

Në vijim, Presidenti Topi dhe Zonja e Parë, Teuta Topi, të shoqëruar nga Ministri i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Jemin Gjana, Zv/ministri i Bujqësisë së Kosovës, Tom Hajdaraj, Presidenti i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar, Enver Ferizaj, si edhe Drejtori i Misionit të USAID-it në Shqipëri, Eduard Landau vizitoi mjediset e Panairit ku u interesua në mënyrë të detajuar për veprimtarinë e firmave vendase dhe të huaja, si edhe të fermerëve shqiptarë, të cilët kanë ekspozuar prodhimet e tyre në Panairin “Agrobiznes 2007”.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›