Presidenti Topi merr në Itali, çmimin Kavalier i Paqes
Romë-Presidentit të Republikës, Bamir Topi iu dha sot në Milano titulli prestigjioz ndërkombëtar Kavalier i Paqes (Cavalliere della Pace).Titull ky i akorduar nga Qendra Ndërkombëtare për Paqen mes Popujve e Assisit, një organizatë humanitare e themeluar në Itali në vitin 1978.
Drejtori i kësaj shoqate, Gianfranco Kosta u shpreh se ky titull i jepet Presidentit Topi “me shpresën se ai do të pranojë të behet zëdhënës i Paqes dhe i arsyeve të saj në të gjitha forumet botërore”. Ndërsa shtoi se “Ne dëshirojme ta bëjmë Tiranën një qendër botërore të Paqes, përmes organizimit të përvitshëm, nën kujdesin e veçantë të Presidentit Topi, të një Forumi Ndërkombëtar të liderëve botërorë dedikuar temës së paqes”.
Presidenti Topi, duke e pranuar titullin, u shpreh se vlerëson lart këtë nderim dhe theksoi se me përkushtim do të përpiqet të kontribuojë në qëllimin e lartë fisnik të kësaj qendre, siç është paqja në rajon dhe kudo në botë.
Titulli, që i është dhënë më parë edhe personaliteteve të tjera të nivelit ndërkombëtar si Mikhail Gorbaçov, Helmut Kol, Papa Gjon Pali i Dytë apo Luciano Pavaroti, u besohet atyre figurave të cilat vendosin të impenjohen në veprimtarinë e tyre për të promovuar paqen dhe bashkëpunimin mes popujve.
Qendra Ndërkombëtare e Paqes mes Popujve është një organizatë humanitare me qendër në Assisi. Që nga themelimi i saj, në vitin 1978, ajo ka zhvilluar mbi 1000 veprimtari e projekte në favor të paqes, bashkëpunimit mes popujve, luftës kundër urisë e varfërisë, etj.