Kush e kontrollon Përmbarimin?!
Zoti ministër! Unë që po Ju shkruaj këtë letër–ankesë quhem Polo çakalli, me profesion ekonomist dhe doktor i shkencave.
Kam konflikt 6-vjeçar me ish-ortakun tim në biznes, Vasil Jovanin. U lumturova që pas 5 vjet e kusur, fitova gjyqin në Shkallë të Parë dhe në Apel, për prishjen e shoqërisë tonë “Kronos” sh.p.k dhe nxjerrjen e saj në likuidim, duke u emëruar edhe likuidatorja nga gjykata.
Si idealist i papërkulur, unë mendoja se Përmbarimi do të më mbështeste, mbasi beteja e nxjerrjes së shoqërisë në likuidim, bëhet në radhë të parë që shteti të arkëtojë në buxhet 24 milionë lekë të reja të grabitura nga ish-ortaku im, menjëherë pas largimit tim arbitrar nga menaxhimi i shoqërisë. Kjo mbasi pikërisht çështja e korrektësisë në marrëdhëniet me shtetin, përbënte shkakun kryesor të prishjes tonë. Mirëpo nuk ndodhi aspak siç e prisja.
Nga Përmbarimi më dolën pengesa të pakapërcyeshme deri në pezullimin e zbatimit të vendimit të Gjykatës, duke e lënë të qetë debitorin hajdut, ta shkatërrojë plotësisht shoqërinë tonë me veprime tërësisht antiligjore.
Në këto kushte i drejtova një ankesë zotit Enkeled Alibeaj, kur ishte ministër i Drejtësisë, nga i cili nuk mora asnjë përgjigje. Më pas, kërkova mbështetjen Tuaj me tri ankesa në datat: 13.07.2009; 02.11.2009 dhe 02.12.2009. Por edhe nga Ju nuk kam marrë asnjë përgjigje. Në këtë periudhë me ndërmjetësimin e një mikut tim, më priti Drejtori i Përgjithshëm i Përmbarimit, zoti Pal Metaj. Ai pasi më dëgjoi, më premtoi se do të më zgjidhte menjëherë çështjen, pasi u bind se kisha të drejtë. Mirëpo nuk ndodhi asgjë e tillë. Ai nuk pranoi të më priste më, dhe urdhëroi Përmbarimin e Tiranës për të pezulluar zbatimin e Vendimit të Gjykatës, pa asnjë bazë.
Në këto kushte, m’u imponua padia e Përmbarimit në Gjykatë dhe gjyqin e fitova, mbasi pezullimi ishte në hava. Por nuk e di se çfarë po bëhet më tej.
Në këto kushte duke humbur besimin te Përmbarimi, por edhe tek Ju që më latë pa asnjë përgjigje e mbështetje, Ju drejtova me 2 letra Kryeministrit Zotit Berisha. Të parën me datë 16.11.2009 dhe të dytën më datë 18.01.2010. Kam informacion se letrën e parë ai e ka vlerësuar dhe e ka drejtuar tek Ju për zgjidhje. Mirëpo unë deri sot nuk kam asnjë lajm të mirë nga Ju, i cili më takon, sepse mbroj jo vetëm veten, por të parin shtetin. Kurse letrën e dytë, Kryeministri ia ka drejtuar Drejtorit të Përgjithshëm të Përmbarimit, Zotit Metaj, i cili është përgjegjës për mosprishjen e shoqërisë tonë, duke i dalë në mbrojte hapur njeriut të korrupsionit dhe shkeljes flagrante të ligjeve, si dhe për mosarkëtimin e parave të vjedhura në buxhetin e shtetit. Nuk e di se si ai do të reagojë, por unë e pres reagimin e vonuar të tij, për të çuar deri në fund betejën e imponuar, jo vetëm nga ortaku çnjerëzor, të cilin e bëra të pasur, dhe në vend të mirënjohjes më grabiti dividentët dhe pjesën time të pasurisë, por edhe nga mbështetësi i tij, zoti Metaj.
Zoti ministër! Unë jam një qytetar i thjeshtë, por edhe një intelektual me tagër që gjatë gjithë jetës kam sjellë vetëm të mira. Kërkoj të reflektoni, të më rezervoni një takim për t’u bindur dhe ndofta edhe për ta bërë shembull çështjen time. Përbën një paradoks fakti që Kryeministri zoti Berisha, gjen kohë të merret me hallin tim të madh e torturues, kurse ju që e keni për detyrë për zbatimin e vendimeve të gjykatave, lejoni vartësit tuaj të mos i zbatojnë ato. Paradoksi tjetër qëndron në faktin se kam fituar 3 gjyqe, dy kundër ish-ortakut në biznes dhe i treti kundër Përmbarimit, strukturës së posaçme ligjore për zbatimin e vendimeve, mirëpo afrohet viti dhe ato nuk po gjejnë zbatim vetëm nga mosdashja e strukturës së posaçme, vetë Përmbarimit.
Zoti ministër, unë jam i pajisur me durimin dhe këmbënguljen për ta ndjekur të drejtën time deri në fund, aq më tepër që ajo tashmë edhe ligjërisht edhe zyrtarisht është një e drejtë e provuar dhe e pakthyeshme.
Me respekt Polo çAKALLI,
Cel: 069 2250690,
Tiranë, më 07.04.2010