E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi niset për të marrë pjesë në Samitin XIII Ekonomik Euro-Aziatik

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, në krye të delegacionit zyrtar, u nis sot për në Turqi, ku do të marrë pjesë në Samitin XIII Ekonomik Euro-Aziatik që do të zhvillohet në datat 5-7 maj në Stamboll. Në këtë Samit të organizuar nga Fondacioni Marmara, do të jenë të pranishëm kryetarë shtetesh, ministra, akademikë dhe drejtues të dhomave të tregtisë dhe ekonomisë së vendeve nga Evropa Juglindore, nga rajoni i Detit të Zi dhe i Kaspikut, Kaukazi, etj. Politikat euro-aziatike për zhvillimin dhe bashkëpunimin ekonomik, çështje të kapërcimit të krizës botërore ekonomike dhe financiare, politikat e zbatimit të projekteve të përbashkëta energjitike, rritja e prosperitetit për të gjithë vendet dhe e harmonisë mes popujve, janë disa nga temat kryesore që do të trajtohen nga pjesëmarrësit në këtë Samit. Gjatë punimeve të Samitit XIII Ekonomik Euro-Aziatik, Presidenti i Republikës do të mbajë fjalën në seancën plenare të hapjes në emër të personaliteteve të huaja së bashku me Presidentin maqedonas Ivanov. Po ashtu, Presidenti Topi pritet të zhvillojë një vizitë në Bashkinë e Shishlit, ku kryebashkiaku Mustafa Sarugyl do i dorëzojë Kryetarit të Shtetit shqiptar çelësin e qytetit, gjatë një ceremonie të posaçme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›