E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi pret delegacionin e Parlamentit Europian për marrëdhëniet me vendet e Europës Juglindore.

8 tetor 2007

Presidenti i Republikës, Bamir Topi priti sot delegacionin e Parlamentit Europian për marrëdhëniet me vendet e Europës Juglindore, të kryesuar nga znj. Doris Pak.

Gjatë takimit, Presidenti Topi vlerësoi ndihmën e vazhdueshme të institucioneve të BE-së për Shqipërinë veçanërisht në vitet e para të pluralizmit dhe në ditët e sotme në rrugën e Shqipërisë drejt integrimit. Presidenti Topi bëri një panoramë të aktivitetit të tij në krye të shtetit shqiptar, që nga zgjedhja në këtë detyrë, sipas rrugës kushtetuese, duke theksuar rolin e Presidentit të Republikës për të qëndruar mbi palët gjatë ushtrimit të funsioneve të tij kushtetuese. Në këtë drejtim, Presidenti u ndal në punën intensive të bërë me forcat politike, duke përmendur takimet e veçanta me kryetarët e partive politike parlamentare, dy tryezat e zhvilluara, njëra me temë të ardhmen e kryeqytetit të vendit, Tiranës dhe tjetra për reformën në sistemin e drejtësisë. Po ashtu, Kryetari i Shtetit bëri me dije për vizitat e tij në rrethe të ndryshme të vendit, si dhe takimet me drejtuesit e pushtetit vendor, përfaqësues të forcave të ndryshme politike, ku ka theksuar nevojën e bashkëpunimit mes forcave politike dhe vijimin e procesit të decentralizimit.

Duke qenë se reforma në drejtësi dhe reforma zgjedhore mbeten dy sfidat kryesore të vendit, Presidenti Topi foli për angazhimin e tij në reformën në sistemin e drejtësisë, si dhe për organizimin e tryezës me këtë temë, rezultat i së cilës ishte rënia dakord e të gjitha partive politike parlamentare për ngritjen e një komisioni parlamentar dhe të një komisioni teknik për realizimin e kësaj reforme. Në këtë kuadër, Presidenti vuri në dukje se një shqetësim i tij mbetet rritja e efiçencës së institucionit të Prokurorisë. Kryetari i Shtetit nënvizoi defektin që ka në legjislacionin shqiptar me mandatin e Prokurorit të Përgjithshëm, defekt, i cili duhet riparuar gjatë reformës në drejtësi. “Megjithatë”, - ka vërejtur Presidenti, - “çështja e shumëdebatuar e shkarkimit ose jo të Prokurorit të Përgjithshëm i takon tashmë vetëm Kuvendit të Shqipërisë”. Vetë Presidenti i Republikës theksoi se do të mbetet garantues i respektimit të Kushtetutës, i marrëdhënieve ndërinstitucionale dhe i ekuilibrave politikë e atyre shoqërorë, në funksion të përmbushjes së detyrimeve për integrimin euroatlantik të vendit, por edhe të rritjes së mirëqënies së qytetarëve shqiptarë.

Duke u ndalur në situatën në Kosovë, Presidenti Topi shprehu qëndrimin e Shqipërisë në mbështetje të Paketës së z. Ahtisari dhe të pavarësisë së Kosovës.

Në emër të delegacionit të zgjeruar të Parlamentit Europian, znj. Pak çmoi faktin se me zgjedhjen e Presidentit Topi, Shqipëria ia doli mbanë të gjente një zgjidhje kushtetuese. Znj. Pak gjithashtu vlerësoi qëndrimin e Kryetarit të Shtetit për zgjidhjen e çështjes së Prokurorit të Përgjithshëm në Parlament dhe jo në institucionin e Presidentit, si dhe rolin e z. Topi në procesin e pritshëm të reformimit të sistemit të drejtësisë.

Anëtarë të tjerë të delegacionit bashkëbiseduan me Presidentin e Republikës lidhur me pavarësinë e institucioneve dhe funksionimin e pushtetit lokal në Shqipëri.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›