E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Topi pret përfaqësuesit e medias me rastin e festave të fundvitit

TIRANE- Presidenti i Republikës, Bamir Topi dha sot pritjen tradicionale në ambientet e Presidencës me rastin e festave të fundvitit ku ishin të ftuar drejtues, gazetarë, analistë, studiues, administratorë dhe përfaqësues të tjerë të medias së shkruar dhe elektronike shqiptare.

Gjatë fjalës së tij, presidenti iu drejtua gazetarëve: “Ju jeni bërë përçues direktë jo vetëm të lajmeve, por të mjaft opinioneve që vijnë nga një pjesë elitare e shoqërisë. Ju jepni mundësi që atë informacion që institucionet duhet ta marrin në një rrugë tjetër, e cila ndoshta kërkon më shumë kohë, juve ta jepni drejtpërdrejt duke dhënë një ndihmë të vyer për çdo institucion në Shqipëri”

Presidenti ka vlerësuar rolin e medias duke uruar që viti që vjen të sjellë të njëjtin perceptim që ka pasur publiku: Media, institucioni më i dashur për shqiptarët.
“Në të gjitha sondazhet keni qenë të parët dhe ky është treguesi më i fortë për secilin nga ju. Natyrisht edhe një refleksion që duhet të vijë nga të gjithë ne të tjerët që të jemi të barabartë me ju” theksoi kreu i shtetit.

Presidenti u takua dhe u përshëndet nga afër përzemërsisht me të gjithë të pranishmit në këtë pritje.

(e.n/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›