E Diel, 1 Nëntor 2026

Krim në familje, vajza 15 vjeçe plagos me thikë babanë

22/12/2010  Ishte i dehur, e rrahu pse ishte vonuar pas shkolle, 58-vjeçari me plagë në bark e shpatull

FIER- Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin myzeqar në orët e pasdites së të martës. Një vajzë 15-vjeçare plagos rëndë babanë. Konflikti i lindur mes dy protagonistëve të ngjarjes, ka degjeneruar duke përfunduar në një mbyllje tepër të dhimbshme.

Ngjarja

Ngjarja ka ndodhur në lagjen “8 Shkurti”, ndërsa është plagosur shtetasi Lili B. Ai ka marrë plagë të rënda në trup me thikë, ndërsa autorja ishte vetë bija e tij 15-vjeçare, në klasën e nëntë. Megjithëse janë të pakta informacionet në lidhje me këtë ngjarje të rëndë që rrezikoi jetën e babait të tre fëmijëve, burime nga policia bëjnë me dije se ka qenë një konflikt banal, ai i cili ka sjellë këtë situatë. Sipas të dhënave, babai 58-vjeçar ka shkuar në shtëpi i dehur rreth orës 16.00. Ndërsa ka gjetur vajzën, e cila kishte vetëm pak që ishte kthyer nga shkolla. Kjo gjendje e ka acaruar babanë duke i kërkuar të bijës llogari për vonesën. E ndërsa ai bërtiste për të kërkuar shpjegim, vajza i tregonte se kishte festuar me shokët për mbylljen e vitit mësimor. Por kjo mesa duket nuk është vënë re nga babai, i cili e kishte kaluar normën e dehjes. Ai ka ushtruar dhunë mbi vajzën, ndërsa kjo e fundit gjatë përleshjes dhe tentativës për të shpëtuar ka marrë një thikë që gjendej aty pranë duke sulmuar të atin. Nuk dihet se sa plagë ka marrë 58-vjeçari, por bluzat e bardha shprehen se trupi i tij është masakruar në pjesën e barkut dhe të shpatullave. Vetëm pasi ka marrë goditjet nga mjeti prerës, 58-vjeçari ka lëshuar të bijën duke u rrëzuar përtokë. Kjo e fundit e alarmuar ka njoftuar nënën e vetë, ndërsa është vënë në dijeni edhe policia e qarkut Fier. Blutë kanë transportuar në gjendje tepër të rëndë në spital babanë 58-vjeçar, ndërsa ka shoqëruar në ambientet e komisariatit vajzën e mitur. Policia ka njoftuar gjithashtu se po kryen hetime mbi këtë konflikt të pazakontë në familje, por deponimet e vajzës dhe të nënës sa saj kanë mjaftuar që të krijohet edhe dinamika e ngjarjes së rëndë. Madje vajza është shprehur se nuk ishte dita e parë që vinte i dehur dhe i kërkonte llogari për lëvizjet që ajo bënte, vonesat dhe nuk i linte, sipas të miturës hapësirat që ajo kërkonte. Tashmë një psikolog është vënë në dispozicion të vajzës për tia bërë më të lehtë rrëfimin dhe gjendjen psikologjike, por burimet pohojnë se karakteri i vajzës nuk e ka pasur si domosdoshmëri praninë e psikologut. Vajza ka treguar gjithçka kishte ndodhur, ndërsa ka thënë se i duhej të vetëmbrohej, pasi dhuna që po ushtrohej mbi të ishte e padurueshme. Sipas saj, edhe herë të tjera ajo është rrahur nga babai. Ndërkohë i plagosuri ndodhet në spitalin rajonal të Fierit dhe i është nënshtruar një operacioni. Gjendja e tij paraqitet e rëndë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›