E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi priti ish-kryeministrin italian, Romano Prodi.

27 qershor 2008

Presidenti i Republikës, Bamir Topi priti sot në Presidencë ish-kryeministrin italian, Romano Prodi, me të cilin zhvilloi një takim të ngrohtë e miqësor.

Pasi i uroi mirëserardhjen, Presidenti Topi i shprehu z. Prodi kënaqësinë për takimin me të, duke e cilësuar si një mik të madh të Shqipërisë. Presidenti vuri në dukje nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve mes dy vendeve, ku padyshim kontributi i z. Prodi është i vlerësuar nga të gjithë.

Kreu i shtetit shqiptar përshkroi reformat kryesore të ndërmarra në vend me qëllim përmbushjen e standardeve integruese, shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme e të gjithanshme që Italia i ka dhënë Shqipërisë, si dhe vuri në dukje angazhimin tonë për të vazhduar përparimin në rrugën e pakthyeshme të integrimit në familjen e madhe evropiane.

Presidenti Topi vlerësoi gjithashtu njohjen e menjëhershme të pavarësisë së Kosovës nga Italia duke theksuar se tashmë rajoni ynë ka fituar një paqe dhe qëndrueshmëri afatgjatë duke u larguar përfundimisht nga mendësitë e vjetra dhe duke projektuar i tëri drejt integrimit të plotë euro-atlantik.

Nga ana e tij, z. Prodi pasi shprehu mirënjohjen për pritjen e rezervuar nga Kreu i shtetit dhe kënaqësinë për përparimet e dukshme të vendit tonë, nënvizoi mbështetjen e plotë për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian duke theksuar se “treni” i integrimit i të gjithë Ballkanit Perëndimor nuk duhet të ndalet.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›