Presidenti Topi takohet me deputetë të Kuvendit të Kosovës

Tiranë, 19 janar NOA - Presidenti i
Republikës, Bamir Topi priti sot një grup deputetësh të Kuvendit të Kosovës, të
përbërë nga Kryetari i Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural dhe
Mjedis e Planifikim Hapësinor, Naser Rugova, i cili shoqërohej nga Tom Hajdari
dhe Albatros Rexha.
Pasi u uroi deputetëve mirëseardhjen, Presidenti Topi u shpreh se Republika e
re Kosovës dhe lidershipi i saj kanë dëshmuar, sidomos pas zgjedhjeve të
fundit, aftësitë për të ndërtuar një shtet demokratik dhe multi-etnik me synime
të qarta integruese në gjirin e familjes evropiane dhe strukturat euro-atlantike.
Kreu i shtetit shqiptar theksoi rëndësinë e
rritjes së bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve tona
duke nënvizuar rolin që luan në këtë drejtim ndërtimi i arterieve
infrastrukturore si dhe zbatimi i projekteve të përbashkëta në fushën e
bujqësisë, agro-biznesit, etj.
Pasi e falënderuan Presidentin e Republikës për pritjen, deputetët e Kuvendit
të Kosovës e informuan Topin rreth përpjekjeve dhe sfidave të Kosovës për të
rritur akoma edhe më tepër njohjen ndërkombëtare të Kosovës, për zhvillimin e
mëtejshëm dhe zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik, që do të pasohen nga proceset
e integrimit euroatlantik dhe ato për në Evropën e Bashkuar.
k.k/NOA